Mijëra shqiptarë po protestojnë në Shkup, kryeqendër e shtetit maqedonas, kundër dënimit të 6 shqiptarëve për rastin e njohur si “Mostra”.
“Protestuesit i janë afruar kordonit të policisë përballë qendrës “Mavovka”-njoftoi agjencia e lajmeve “Zhurnal”.
Parrullat hidhen kundër kryeministrit Nikolla Gruevski të partisë nacionaliste VMRO/DPMNE dhe aleatit të tij shqiptar Bashkimi Demokratik për Integrim të ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti.
“Gruevski, e keqja fshihet në mozaik”, “UÇK, jo BDI”, “UÇK me popullin”, “Monstra”, “Brodeci”, “Harun Aliu”, janë parrullat e protestueve referuar rasteve të dhunës policore (në Brodec) dhe vrasjes së veprimtarit Aliu.
Agjencia “Zhurnal” shkruan se në protestë ka qenë edhe ish-deputeti Hisni Shaqiri dhe kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela.
“Për momentin është duke u lexuar një deklaratë, në të cilën u kërkohet autoriteteve që të marrin vendime të drejta në rastin “Monstra”, – raporton i njejti medium.
Po ashtu “Zhurnal” shkruan se “është vërejtur një prani e madhe e mediave të huaja dhe e atyre nga Kosova dhe Shqipëria” dhe se “ndërkohë policia mban të bllokuar dy krahët e rrugës që çon drejt “Çairit”, një lagje-komunë e Shkupit.
Kurse agjencia “Albeu” raportoi se “turma e protestuesve është ndaluar nga policia në Bit Pazar” dhe se “policia dhe protestuesit janë takuar pikërisht në udhëkryqin tek Gjykata në Bit Pazar”
Me qindra protestues janë tubuar përpara xhamisë “Jahja Pasha” në Shkup për tu nisur drejt rrugës që të çon për tek gjykata. Anash rrugëve ka edhe qytetarë të tjerë, të cilët duan t’i bashkangjiten grupit fillestar që ka nisur marshimin”-shkruan “Albeu”.
Sipas saj, “nisja nga xhamia është shoqëruar me thirrjet “UÇK”, “Duam liri!”, “Stop rasteve të montuara politike”, “Radishani”, “Sopoti”, “Monstra”, “Brodeci”.
Gjykata Themelore në Shkup vendosi për rastin “Mostra” dënimin me burgim të përjetshëm të 6 shqiptarëve etnikë të akuzuar për vrasjen e 5 maqedonasve pranë liqenit të Smilkovcit (në Shkup).
Shkupi është një qytet i lashtë, etnik i Shqipërisë që mbeti jashtë kufijve nga Konferenca e Londrës në 1913.
Protestuesit në Shkup shpalosin kater kerkesa kryesore
Protesta po i afrohet fundit, protestuesit kanë lexuar kërkesat e tyre, janë katër kërkesa kryesore:
– Shpallja e të dënuarve të Monstrës për të pafajshëm dhe lirimi e dëmshpërblimi i menjëhershëm i tyre,
– Shkarkimi i menjëhershëm i prokurores dhe gjykates përgjegjëse për rastin “Monstra” dhe ndjekja e tyre penale për keqpërdorim të detyres.
– Dorëheqja e ministres së punëve të brendshme përshkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare duke shpallë gjykimin e të akuzuarve menjëherë pas arrestimit te tyre
– Lirimin e menjëhershëm të gjithë të arrestuarve në protestat në Shkup dhe Tetovë, derisa nuk plotësohen këta kërkesa protestat nuk do të ndërpriten, deklaruan organizatorët
















