Kreu i Partisë Demokratike, Luzlim Basha ka dënuar incidentin e ndodhur sot në kuvend, teksa ka akuzuar kryeministrin se me urdhër të tij banditë të veshur me mandat deputeti sulmuan fizikisht deputetin e PD, Gent Strazimiri.
Duke folur pas mbledhjes së grupit demokrat, posaçërisht për ngjarjen e shënuar paraditen e sotme në ambientet e jashtme të Kuvendit, ku deputeti i PS, Pjerin Ndreu u konfrontua fizikisht me ate te PD, Strazimiri, Basha u tha se me praktikat e ndjekura nga kjo mazhorancë po synohet t’i mbyllet goja opozitës.
Kreu i PD ka bërë me dije se grupi demokrat ka vendosur të ndërpresë deri në një vendim të dytë marrëdhënien me parlamentin, te cilin e ka quajtur strehe krimi, ndërsa ka garantuar se opozita do të jetë në ballë të një beteje të cilën synon ta fitojë në përballje me njerëz të inkriminuar.
“Në aulën e parlamentit goditën opozitën, dhunuan fizikisht sekretarin e grupit parlamentar të PD, Genti Strazimiri. Ai sapo kishte përfunduar fjalën e tij, ku me objektivitetit shprehu gjendjen e mjerueshme të rendit dhe krimit dhe përgjegjësitë politike të dyshes Meta-Rama. Menjëherë pas fjalës së tij, Edi Rama urdhëroi banditë të veshur me mandat deputeti të dhunonin fjalën e lirë, deputetin Strazimiri, si një akt kërcënimi për të shuar fjalën e lirisë edhe në tempullin e demokracisë që duhet të jetë Kuvendi”, tha Basha.
“Opozita do të vazhdojë të denoncojë lidhjet kriminale dhe praninë kriminale në gjirin e kësaj shumice në emër, por pakicë në vlerë. Do të përballemi dhëmb për dhëmb dhe sy për sy me krimin. Do t’i dërgojmë një sinjal të fortë dyshes Rama-Meta që po angazhojnë krimin për t’i mbyllur gojën opozitës”,vijoi kreu i PD.
















