Ajo që ra në sy ishte prania e madhe e tifozëve kuq e zi, ndërsa atyre iu bashkua dhe boksieri Nuri Seferi, i cili pak ditë më parë gjatë protestës në Tetovë u përlesh me forcat e policisë
Qindra të rinj kanë protestuar në Tiranë e Shkodër, kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në Shkup të cilët kundërshtuan vendimin me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarët e akuzuar në çështjen “Monstra”.
Me parullën “Shkupi zemra e Shqipërisë”, të rinjtë protestuan pasditen e kësaj të marte para Piramidës në kryeqytet. Ata ishin mbledhur në përgjigje të thirrjes së shpërndarë në rrjetin social Fejsbuk.
Protesta ishte paqësore, e megjithatë forca të shumta policie e ndoqën në distancë për të shmangur çdo incident apo situatë tensioni.
Ajo që ra në sy ishte prania e madhe e tifozëve kuq e zi, ndërsa atyre iu bashkua dhe boksieri Nuri Seferi, i cili pak ditë më parë gjatë protestës në Tetovë u përlesh me forcat e policisë.
“I bëj thirrje Maqedonisë, boll me këto maltratime që i bëni kombit shqiptar se populli shqiptar ka 10 milionë shqiptarë bashkë. Të mbledhin mendjen se nuk do rrime duarkryq, jemi popull paqedashës, por në rast se na imponohet dicka ndryshe jemi të detyruar të veprojmë e reagojmë”, tha Seferi.
Njëkohësisht u protestua edhe në sheshin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës ku të rinjtë i bënë thirrje klasës politike shqiptare të reagojë përballë kësaj situate. Ata deklaruan se protestat e tyre do të vijojnë duke ftuar të gjithë shqiptarët t’i bashkohen kësaj kauze.
“Nuk bëhet fjalë për rastin e fundit “Monstra”, bëhet fjalë për tentativën e shtetit maqedonas që të dënojë një etni të tërë pa fakte. Duam diplomaci intensive që shqiptarët të mos keqpërdoren kudo janë. Shteti shqiptar t’u dalë zot dhe të respektohet marrëveshja e Ohrit”, tha një prej organizatorëve të protestës.
















