Nasi Muçaraku, babai i 29-vjeçarit Ledjan Muçaraku i arrestuar nga policia për skemën piramidale që kishte ngritur duke mashtruar 900 persona ka deklaruar se i biri nuk rrinte në shtëpi.
“Unë e kam të birësuar, por ai nuk rrinte në shtëpi. Zëre se nuk e kisha. Jam i indinjuar për veprimet e tij, shteti le ta hetojë”, ka thënë ai.
Muçaraku akuzohet se pasi jepte shuma të ndryshme si borxh, kur ua merrte përsëri mbrapsht paratë personave të ndryshëm, i detyronte të nënshkruanin një dokument noterial për këtë shumë dhe më tej e përdorte duke i paditur në gjykatë sikur borxhi të ekzistonte në të vërtetë. Shumat varionin nga 1 mijë lekë, deri në 230 mijë euro, por pjesa më e madhe e tyre ishin shuma fiktive thjesht në letra, nëpërmjet të cilave tentonte të shantazhonte bizneset.
















