Muhamet Hamiti, ish ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Basghkuar, ka vënë re se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e emërimit të mandatarit e lë në dorën e Presidentes Atifete Jahjaga jo vetëm krijimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, por edhe stabilitetin e vendit.
Hamiti, i cili ka qenë këshilltar i dy ish-presidentëve të Kosovës, Ibrahim Rugova e Fatmir Sejdiu, e cilëson “kurs potencialisht shumë të rrezikshëm” vendimin eventual të Presidentes që t’i jepte jepte edhe një mundësi të dytë PDK-së, pas dështimit eventual të Thaçit që ta formojë qeverinë e re.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hamiti thekson se një vendim i tillë eventual do të shkaktonte jostabilitet “politik e të sigurisë” në Kosovë, prandaj Presidentja Jahjaga do të duhej të kishte në vëmendje pikën 94 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpjegon se Presidentja mund të emërojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë, “nga një formacion tjetër politik – në rastin aktual atij që përfaqëson LDK-në, AAK-në”.
Më poshtë po e japim të plotë postimin e Hamitit:
***
Presidentja e emëron mandatarin që ka shumicë, ose e çon vendin në jostabilitet
Kjo më poshtë është pjesa kyçe e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e botuar sot, që interpreton dispozitat kushtetuese për emërimin e kandidatit për Kryeministër të Kosovës:
AKTGJYKIM
në rastin Nr.K0103/14
Parashtrues: Presidentja Republikës së Kosovës
Përkitazi me vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14)
[Kompetencat e Presidentit] me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
—————————–
Interpretimi i nenit 95, paragrafit 4, të Kushtetutës
- Sa i përket interpretimit të nenit 95, paragrafi 4, Gjykata vëren se kjo dispozitë e precizon procedurën sipas së cilës Presidenti i Republikës emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, duke ndjekur të njëjtën procedurë, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr votat e nevojshme në Kuvend. Ky nen numëron dy elemente:
(a) Presidenti emëron kandidatin tjetër;
(b) sipas së njëjtës procedurë.
- Ky nen qëndron i heshtur në pyetjen se cila parti ose cili koalicion e propozon kandidatin e ri për Kryeministër. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e Presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për Kryeministër.
- Nuk duhet të përjashtohet që Presidenti i Republikës mund të vendosë t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e Qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend.
- Gjykata konsideron se Presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për Kryeminister, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë se re.
- Gjykata rithekson se neni 95, paragrafi 4, i Kushtetutës kërkon që të ketë një kandidat tjetër për Kryeministër, por e lë të hapur çështjen se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin për Kryeministër.
- Pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e Presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë se re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.
Kjo pjesë e tekstit është marrë nga kjo vegëz e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës:
http://www.gjk-ks.org/repository/docs/gjkk_ko_103_14_shq.pdf
Venerime të mia
Ndonëse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka dhënë interpretimin më pro-PDK të mundshëm në Aktgjykimin 24-faqesh që u botua sot, duke afirmuar idenë që kjo parti dhe koalicioni i udhëhequr prej saj të ketë ndoshta mundësinë që një mandatar tjetër pas të parit (d.m.th. pas dështimit të pritshëm të Hashim Thaçit) në emër të tij të provojë të krijojë Qeveri, megjithatë Kushtetuesja e ka bërë të qartë se Presidentja mund t’i japë emërimin për formim të Qeverisë një mandatari tjetër, nga një formacion tjetër politik – në rastin aktual atij që përfaqëson LDK-në, AAK-në dhe Nismën, me gjasë Haradinajt.
I bën gjithësesi nder Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që u ka rezistuar sirenave të spindoktorëve, juristëve dhe autorëve të mëtuar të Kushtetutës së Republikës, nga radhët e PDK-së, që dispozitat relevante kushtetuese për çështjen në fjalë (emërimin e mandatarit të Qeverisë së re) i kanë interpretuar me zell partizanësh sikur gjoja thonë se të dyja mandatet kushtetuese për formim të Qeverisë duhet t’i jepen patjetër koalicionit të PDK-së, qoftë edhe nëse, dhe me gjasë, mu pse kjo do të çonte pashmangshëm në zgjedhje të reja. Madje, në rrjedhë të kësaj logjike, sipas tyre, pa u pasë dhënë fare mundësi atyre që kanë gjasë t’i bëjnë 61 vota për miratim të Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës sonë, siç është rasti me bllokun aktual opozitar.
Presidentja Atifete Jahjaga, para se të vendoste hipotetikisht t’i jepte një mundësi të dytë, të kotë, PDK-së, pas një dështimi eventual të Thaçit, do të duhej me e pasë vendosë me ndjekë krye më vete (apo, me krye të tjetërkujt?) një kurs potencialisht shumë të rrezikshëm: të trazojë vendin politikisht duke e çuar në zgjedhje të jashtëzakonshme kësaj vere, rezultati i të cilave do të mund të ishte i paparashikueshëm jo vetëm për pozitën e Jahjagës, të Thaçit dhe të liderëve të tjerë politikë – sepse as këta s’do të fitonin gjë – por, në radhë të parë hyrje në jostabilitet politik e të sigurisë në Republikën e Kosovës.
E do rendi, prandaj, që Presidentja ta ketë në mendje pikën 94, shih më sipër, të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili riafirmon atë që ajo e di sigurisht, në teori, se,pasi që, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e Presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë se re, në mënyre që të shmangen zgjedhjet.















