Kreu i Delegacionit të PE-së për Europën Juglindore thotë se skepticimi i Republikës Çeke lidhej me “CEZ”-in, ndërsa i Spanjës me votën e Shqipërisë për Këshillin e Sigurisë të OKB-së
Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Vendet e Europës Juglindore, Eduard Kukan, tha se “gjashtë vende anëtare të BE-së, ishin ngurrues për dhënien e statusin “kandidat” Shqipërisë”.
Zoti Kukan tregoi se këto vende ishin Britania e Madhe, Franca, Republika Çeke dhe Spanja.
Mes këtyre, qeveria çeke kishte kundërshtimet më të ashpra si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes Tiranës dhe gjigandit energjetik “CEZ” mbi pronësinë e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.
Eurodeputeti Kukan theksoi se Shqipëria kishte të drejtë mbi këtë çështje, por çekët u treguan të ashpër.
Sipas zotit Kukan, Spanja pati gjithashtu kundërshti për statusin “kandidat” të Shqipërisë për shkak të mungesës së mbështetjes së Tiranës për kandidimin e saj për një post anëtari jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Votimi për Këshillin e Sigurisë do të mbahet në tetor dhe Spanja po konkurron me Turqinë dhe Zelandën e Re.
Përveç mosmarrëveshjeve dypalëshe, Shqipëria u përball me pengesa si pasojë e rritjes së skepticizmit ndaj anëtarësimit në BE në disa prej vendeve anëtare.
















