NGA SALI BERISHA
“I nderuar zoti Kryeredaktor, në suplementin e gazetës “Panorama” të ditës së shtunë, datë 21/06/2014, në hyrje të shkrimit me titull: “Rrëfejnë dëshmitaret”: Ja çfarë ndodhi mes Edi Rames dhe Adi Krastës – Detajet e sherrit …” shkruhet se: “bëhet fjalë për një zënkë mes personalitetesh e amplifikuar më pas nga ish-kryeministri Berisha si fillim me një status në Facebook dhe më pas me një reagim të fortë në sallën e parlamentit këtë të enjte”.
Duke shprehur respektin tim per autorin anonim të shkrimit, më duhet të saktësojë se ai në këtë shkrim gabimisht më atribon merita që për hir së vërtetës nuk më perkasin mua. Kjo sepse nuk jam unë që kam nxjerrë në fillim apo për herë të parë faktin se Rama, në darkën e 14 majit, në shpërthimin e tij skizoid ndaj Adi Krastës, ka humbur kontrollin. Kjo meritë ju takon disa të tjerëve që me guxim botuan në faqet e gazetave dhe hapën emisionet e lajmeve televizive të tyre dhe informuan publikun për skandalin dhe detajet e tij disa ditë para botimit të statusit tim në Facebook me dt 16 qershor. Sipas këtyre mediave, në këtë darkë ditëlindje ku ishin të pranishëm disa ministra, Edi Rama kishte agresuar brutalisht me fjalët më fyese gazetarin e njohur Adi Krasta vetëm e vetëm se ai kishte cituar dhe mbështetur në një koment të tij ne Agon Channel një deklaratë timen në parlament ku unë e denocoja si mafie mediatike Edi Ramen për favoret e paligjshme që ky po i bënte me frekuencat publike kompanisë Digitalb, në të cilën thuhet se është aksioner. Mediat kishin i njoftuar se gazetari i njohur Krasta kishte reaguar me dinjitet të plotë dhe në proporcionin e duhur ndaj shpërthimit të pakontrolluar të Ramës duke dëshmuar kështu guxim qytetar dhe burrëri.
Po keshtu, mediat kishin informuar se Edi Rama në akces krize kishte shpërthyer me fjalët më të rënda, si “pro……”, “ku….”, ndaj zonjave Kumbaro dhe Veliaj vetëm se ato ishin përpjekur të qetësonin Ramën kur ai ishte turrur gojëhapur për të kafshuar drejt Krastës.
Pra, cilitdo që i intereson e vërteta, mjafton që të lexojë shkrimet e gazetave dhe dëgjojë kronikat e lajmeve televizive për skandalin e darkës së 14 majit, për të kuptuar se në statusin tim në FB të datës 16 qershor nuk ka absolutisht asnjë amplifikim. Të vetmen gjë që unë kam shkruar dhe që mediat nuk e kanë thënë është se bashkëshortët e zonjave, aq rendë të ofenduara nga Rama, nuk reaguan dhe nuk lëvizën vendi dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Shtoj këtu se deri më datën 19 qershor, ditën e diskutimit tim në parlament, Rama vetë dhe asnjë nga të lënduarit apo dëshmitarët e darkës së prishur për tetë ditë me rradhë nuk kishin bërë asnjë reagim, asnjë mohim të atyre lajmeve, kishin heshtur qe te gjithe percec mureve
Mendoj se kjo është ngjarje sa e rendë, po aq dhe ngjarje e shëmtuar. Në asnjë vend të lirë nuk ndodhë që kreu i ekzektuvit të shpërthejë me sharje prej ordineri ndaj vartëseve apo qytetarëve. Ky është abuzim i rëndë me pushtetin. Në vend se të japë dorëheqjen ose minimalisht t’u kërkojë falje publike atyre që ka lënduar me sharjet e tij, atyre që u prishi darkën me krizën e tij dhe në tërësi publikut shqiptar, Rama, si recidivist dhe i papërgjegjshëm, përdori pushtetin për të mohuar breshërinë e sharjeve të ulta, skandalin e tij të rradhës. Unë do vlerësoja z. kryeredaktor që, në interes të informimit më të saktë të lexuesëve të gazetës suaj për këtë ngjarje të rëndë, të botoni këtë shkrim në këtë gazetë.
Me konsideratën time të lartë dhe respekt, Sali Berisha.”















