Johan Vadepul ka thënë se Serbia ende nuk i ka plotësuar kriteret në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe se hapja e kapitullit të parë të bisedimeve varet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Përfaqësuesi i Demokristianëve në Bundestagun gjerman ka thënë se grupi parlamentar CDU-CSU, të cilit i përket, edhe më tej nuk janë krejtësisht të kënaqur me atë çfarë kishin pritur, dhe mbetet edhe shumë për tu bërë në raport me Kosovën.
“Ende nuk jemi plotësisht të kënaqur me atë çfarë është bërë dhe ka ende gjëra për tu bërë në mënyrë që të vjen deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Vadepul.
I pyetur nëse është e vërtetë se kapitujt e parë të bisedimeve me BE do të fillojnë në korrik, ai tha se është e rëndësishme për të përfunduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën para se të hapet kapitulli i parë.
“Marrëveshja e arritur në prill të vitit 2013 ende nuk po zbatohet plotësisht”, tha ai, raporton b92, transmeton Telegrafi, duke shtuar se “është e vërtetë se nuk është vetëm Serbia përgjegjëse për të”. Megjithatë ai ka shtuar se Serbia është aktor kyç në këtë proces.
Sipas tij, ritmi i procesit të pranimit të Serbisë do të varet se si vazhdimisht Serbia do të përmbushë kërkesat e kapitujve të bisedimeve veç e veç dhe zhvillimin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Ai shtoi se rezoluta e Bundestagut gjerman kërkon që qeveria gjermane të fillojë bisedimet me Serbinë, në pikat 35 dhe 32 që kanë të bëjnë me Kosovën dhe kontrollet financiare.















