Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho e cilësoi si të neveritshme deklaratën e deputetit demokrat Flamur Noka lidhur me sulmin e policisë në Lazarat.
Braho i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga mbrojtja e elementëve kriminalë në Lazarat dhe kudo në Shqipëri.
“Dëgjova me neveri deklaratën e Partisë Demokratike dhe të deputetit Noka, lidhur me cilësimin ‘sulm banditesk’ të forcave të Policisë së Shtetit ndaj stanit kriminal të Lazaratit dhe kriminëlve të Lazaratit. U bëj thirrje të distancohen nga këto cilësime negative sepse në stanin kriminal të Lazaratit përveç Mahmutaj dhe Dasho Alikaj ndodhej dhe laboratori drogës dhe uzinë armatimesh, të cilat rezultojnë se përdoren kundër forcave të policisë”, tha Braho.
Si kryetari i komisionit parlamentar, Braho mbështeti aksionin e policisë në Lazarat.
“Në emër të Komisionit të Sigurisë shpreh mbështetjen e fuqishme ndaj Policisë së Shtetit për operacionin e saj shembullor, të suksesshëm të kujdesshëm, në thelb humanitar. Me ketë rast i bëj thirrje popullit të Lazaratit t’i kthehet normalitetit dhe të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit”, u shpreh kreu i komisionit të Sigurisë.
Braho mohoi deklaratat e deputetit të LSI-së Gjovalin Kadeli i cili ka kërkuar ndryshimin e të paktën një ministri nga kabineti qeveritar.
“Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare të tipit Kadeli, ka deklaratë të kryetarit të LSI që ne jemi në mbështetje të qeverisë dhe Ministrit të Brendshëm”, tha Braho.
Deklaratat e Brahos erdhën në përfundim të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë. Deputetët miratuan në tërësi brenda pak minutash projektligji për Komandimin e Forcave të Armatosura.















