Kosova mund të përfshihet në një krizë institucionale ende pa u shpallur dhe certifikuar rezultati final i zgjedhjeve parlamentare, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.
Sipas tyre, kjo situatë mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje, të cilat konsiderohen si një sfidë e re, për shkak të momentumit të ri politik që po krijohet në vend.
Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, vlerëson se kriza në të cilën po futet Kosova është tejet e rëndë sepse ka karakterin jo vetëm të një krize politike, por edhe kushtetuese.
Ai ka thënë se pretendimi i tri partive jo fituese të zgjedhjeve që të formojnë qeverinë, duke e lënë në opozitë partinë fituese, është një rast i ri, i cili do të kërkojs edhe një interpretim kushtetues.
Në këtë aspekt, në momentin e formimit të institucioneve të reja, një rol vendimtar mund ta ketë edhe presidentja dhe vendimi i saj nëse do ta mandatojë apo jo një kandidaturë nga opozita për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Krizat politike janë shumë lehtë të menaxhueshme, por krizat rreth kushtetutshmërisë së një procesi dhe të institucioneve, nëse udhëhiqen gabimisht, mund të shkaktojnë një situatë shumë të rëndë, në veçanti kjo tani, me rolin e presidentes dhe me interpretimin kushtetues të cilin presidentja duhet ta bëjë”, ka thënë Rashiti.
Marrëveshja politike mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën për krijimin e qeverisë pritet të kontestohet nga Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve.
Naim Rashiti thotë se partitë politike kanë kohë që deri në certifikimin e rezultatit dhe thirrjes së seancës së parë plenare të provojnë të gjejnë një zgjidhje për të evituar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja.
“Nëse kemi kundërshti të mëdha për formën e formimit të qeverisë, natyrisht që do të kemi krizë. Krizat shkaktohen nëse vendi mbetet pa qeveri, nëse vendi shkon në zgjedhje të cilat janë vështirë të menaxhohen, për shkak të pritjeve të reja dhe momentumeve të reja politike që krijohen dhe kushtetutshmëria nëse formimi i institucioneve nuk do të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, analisti Imer Mushkolaj thotë se zhvillimet që pasuan votimet e 8 qershorit, sidomos lidhja e bllokut prej tri partive për krijimin e qeverisë pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, kanë befasuar të gjithë.
Zhvillime të tilla, pas certifikimit të rezultatit, mund të zvarrisin formimin e institucioneve të reja, thotë Mushkolaj.
“Konsideroj se këto do të shkaktojnë një zvarritje të krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të shkojmë edhe në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat, në fakt, do të ishin edhe një sfidë tjetër për Kosovën, pasi kërkojnë mund, financa dhe angazhim për t’u organizuar sa më mirë”, ka thënë Mushkolaj.
Mes opsionit të zgjedhjeve dhe krijimit të një qeverie pa partinë fituese, analisti Mushkolaj thotë se e preferon këtë të dytën.
“Do të doja të krijohen institucionet sipas formulës së bërë tashmë publike nga partitë opozitare dhe nuk do të doja që të shkohet sërish në zgjedhje”, ka theksuar Mushkolaj.
Në zgjedhjet e 8 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës fitoi me një epërsi prej pesë për qind në raport me partinë rivale, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, kjo fitore nuk ia krijoroi PDK-së mundësinë që ta formojë vetë qeverinë, ndërsa katër partitë tjera vendosën ta bojkotojnë PDK-në si partnere për bashkëqeverisje.
Në rrethana të tilla, PDK-ja do ta ketë të pamundur ta formojë qeverinë. Por, zyrtarët e PDK-së kanë bërë të qartë se qeveria e ardhshme do të formohet nga kjo parti politike, ndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Për këtë pozicion, ata besojnë se do të kenë mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese, së cilës do t’i drejtohen në momentin që blloku opozitar LDK-AAK- Nisma do të provojë të zbatojë marrëveshjen për krijimin e qeverisë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















