FRESSH thotë se nuk ka ftuar ndokënd nga Kosova, për shkak se nuk ka parti simotër
Denion Ndrenika
Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH), ka ftuar në një konferencë në Tiranë, bashkëmoshatarët e tyre socialistë të partisë së ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç.
FRESSH, një strukturë e Partisë Socialiste qeveritare thotë se nuk ka ftuar ndokënd nga Kosova, për shkak se nuk aka parti simotër.
Joleza Koka, nënkrytetare e FRESSH-it i tha të përditshmes “Gazeta Shqiptare” se forumi i partisë së zotit Tadic “mund të quhet simotra jonë në Serbi”.
Gazeta e pyeti nënkryetaren Koka nëse “është e ftuar Kosova në këto aktivitete”, për të marrë përgjigjen:
“Për momentin jo, sepse në Kosovë nuk kemi një parti simotër. Por do të ketë takime rajonale, ku sigurisht do të jetë edhe Kosova”.
Në Kosovë, Partia Socialiste me kryetar Ilaz Kadollin u bashkua me Lëvizjen “Vetëvendosja!” në 26 prill 2013 kur shpallën (gjithashtu bashkim) edhe të anëtarësisë dhe përfaqësuesve vendorë.
Konferenca e emërtuar “Beograna” do të zhvillohet vetëm me pjesëmarrjen e të dy forumeve në datat 6-7 korrik te Fakulteti i Muzikës.
FRESSH njoftoi se çfarë synohet në këtë konferencë dypalëshe me socialistët rinorë të ish-presidentit serb Tadiç:
“Përmes këtij aktiviteti të dyanshëm synohet evidentimi, analizimi dhe zhvillimi i mendimit kritik rinor për sa u përket problematikave të përbashkëta të të rinjve nga të dyja vendet pjesëmarrëse në projekt, sfidave të përbashkëta të dy vendeve dhe qasja e re rinore për kapërcimin e barrierave në kuadër të aspiratave të vendeve respektive për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.
Konferenca e rinorëve socialistë mbështetet nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” dhe do të shoqërohet me një ekspozitë fotografike.
“Ata kanë pasur edhe zgjedhje këto kohë, por ne kemi biseduar dhe në datat 5 e 6 korrik do të jenë në Tiranë. Do të organizohet një workshop 4-ditor dhe në të njëjtën kohë edhe një ekspozitë me foto nga fotografë të njohur. Fotot do të jenë nga Serbia e Kosova”-tha Koka.
Ajo saktësoi se tre tema do të diskutohen në këtë veprimtari që e theksoi se do të jetë 4-ditore, duke u ndarë në folës të dy shqiptarëve dhe dy serbëve.
“Ata janë një delegacion rreth 10 veta dhe do të vijnë në nivel të lartë përfaqësimi. Ne në fakt patëm një aktivitet në nëntor, në Londër dhe atje u takuam dhe u njohëm me të rinjtë serbë. Kemi disa muaj që negociojmë për këtë aktivitet. Ata do të vijnë në korrik në Shqipëri dhe ne po një delegacion prej 10 vetash do të shkojmë në shtator në Beograd”-tha Koka. Illyria















