Që të tre krerët më të lartë të shtetit ndodhen jashtë Shqipërisë duke cenuar rëndë sigurinë kombëtare. Kundra rregullores së përgjithshme, të tre krerët më të lartë të shtetit ndodhen jashtë vendit në të njëjtën kohë. Protokolli i shtetit duhet të vihet në dijeni paraprakisht për cdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore të shtetit, përkatësisht presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit, pasi vizitat duhet të koordinohen që të mos jenë të tre jashtë vendit në të njejtën kohë.
Sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani ndodhet në Katar, kreu i qeverisë, është nisur për në Francë, ndërsa kryeparlamentari për në Kuvajt.
Por, thyerja e protokollit nuk ndodh për herë të parë duke shënuar kështu të disatin precedent. Drejtuesit më të lartë të shtetit kanë zgjedhur jo pak herë si në kohën e qeverisjes nga socialistët apo edhe demokratët të lënë shtetin në të njejtën ditë, duke shkelur haptazi protokollin.
Edhe në shtator 2012, u thze protokolli, kur Presidenti i Republikës Bujar Nishani ndodhej në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kreu i qeverisë, në Romë në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Internacionalen e Demokratëve të Qendrës, ndërsa kryeparlamentarja në Strasburg në kuadër të Konferencës Europiane të Presidentëve të Parlamenteve.














