Flamuri i Kosovës, ai shqiptar dhe flamuri i Turqisë u bashkuan sot në qytetin historik të Prizrenit. Qytet ky që sot shpalli Ditë Feste, ku me disa ceremoni festoi 136 vjetorin e formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dita e sotme u përcoll me një mot mjaftë të nxehtë, andaj, në orët e paradites pranë kompleksit të Lidhjes së Prizrenit nuk dukej numër i madh i vizitorëve.
Përkundër organizimeve të Komunës, përfaqësues të OJQ-ve nuk u ndanë të kënaqur me trajtimin e këtyre festave. Sipas tyre, në këtë komunë mungon menaxhimi për organizimet kulturo-artistike.
Megjithatë, dita e sotme filloi me një akademi e cila u mbajt në oborrin e kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, në të cilën të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryetari i Prizrenit Ramadan Muja dhe historiani Frashër Demaj. Ceremonia vazhdoi me një orë letrare, “Ditët e lidhjes së Prizrenit”, ku shumë shkrimtarë ndanë poezitë e tyre me të pranishmit aty.
Parim Kosova, përgjegjës i kompleksit “Lidhja e Prizrenit”, tha për KosovaPress se në këtë kompleks asnjëherë nuk mungon numri i vizitorëve. Ai tha, se do të kishte qenë akoma më mirë nëse në Prizren sot do të ishin së bashku kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, për të shënuar këtë ditë të madhe.
Komuna e Prizrenit, nga sot e deri në ditën e enjte do të mbajë disa ceremoni në shenjë nderimi për ditën e madhe të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Imer Berisha, zëdhënës në Komunën e Prizrenit, i tha KosovaPressit se Komuna e Prizrenit përpiqet që organizimet t’i bëjë duke u bazuar edhe në kërkesat e qytetarëve. Berisha tha, se çdo vit mundohet ta ruajnë trendin e kërkesave të qytetarëve rreth organizimit të përvjetorit të kësaj dite.
KosovaPress takoi edhe organizata joqeveritare që nuk janë të kënaqura me organizimet kulturo-artistike që po bëhen në Prizren. Valon Xhabali, nga OJQ “Ec më ndryshe”, tha se Komuna e Prizrenit është duke i organizuar disa aktivitete, por janë pothuaj se të njëjta. Sipas tij, në Komunën e Prizrenit mungon menaxhimi, “turistët vijnë pa cicëron dhe nuk ka kush t’i presë”.
Në këtë ditë historike në Prizren, zuri vend edhe ekspozita Asllan Krasniqit, i cili me fotografitë e tij të luftës rrethoi sot oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ditët e Lidhjes së Prizrenit do të vazhdojnë nesër me shfaqjen e dramës “Shtëpi Kukulle” në Teatrin Profesional të Prizrenit, për të vazhduar tutje ditën e enjte me homazhet në varrezat e Dëshmorëve në Landonicë, homazhe te Monumenti i Lirisë dhe për tu përmbyllur një koncert në kejin e Lumbardhit.














