Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të Ministrave të BE-së që t’i japë Shqipërisë statusin kandidat, me anë të një progres-raporti të detajuar, ku jepet notë pozitive mbi punën e qeverisë shqiptare në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe përcakton detyra të reja për vendin.
Dhe urimi për gjithë shqiptaret vjen në Tirane nga komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, përkrah kryeministrit Edi Rama, pas takimit të nivelit të lartë Shqipëri- BE. Zyrtari i larte i BE vlerësoi përpjekjet në të shkuarën dhe angazhimin e sotëm të qeverisë, në përmbushjen e reformave duke përfshirë në këtë përcaktim edhe meritat e qeverisë demokrate në 8 vite.
Vendimi i KE u komentua në një konferencë të përbashkët nga kryeministri Rama dhe Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle. “U dha pa kushte e rezerva”, u shpreh Fyle në nisje të fjalës. Për Ramën ai ishte një vendim i qartë që nuk linte asnjë shteg për dyshim, sic tha ai nuk ka asnjë presja pas ‘PO’. Ndërsa komisionari Fyle edhe pse konfirmoi vendimin pozitiv i rekomandoi se duhet të ndalen konfliktet politike, pasi dëmtojnë vendin. Fyle nga ana e tij përgëzoi qeverinë për punën e bërë, por kërkoi që reformat të vijojnë. Në lidhje me skeptikët e BE, Rama nuk ka dashur të komentojë sot, duke thënë se i gëzohet vendimit të tanishëm dhe mbështetjes së miqve.
KRYEMINISTRI RAMA
Në konferencën e përbashkët me komisionerin për zgjerim Stefan Fyle, kryeministri Rama u shpreh se Komisioni Europian ka rekomanduar që Shqipërisë t’i jepet statusi, një po e forte, e qartë dhe e pastër, që sipas tij, nuk lë shteg për asnjë dyshim.
“Është një moment i shënuar dhe besoj që në këtë moment gazetarët meritojnë të gjithë hapësirën dhe komoditetin për të bërë pyetjet e tyre.
Progres raporti ka konfirmuar me një ‘PO’ të fortë dhe të qartë rekomandimin për statusin kandidat për Shqipërinë bazuar në argumente konkrete për konsolidimin e një rruge të nisur, bazuar në rezultate të prekshme që në muajt e parë të qeverisjes sonë dëshmon dhe thekson punën e qeverisë si një punë që meriton të njihet dhe të vlerësohet, për vetë Shqipërinë, për dhënien e statusit kandidat për vendin tonë”, tha Rama.
Sipas Ramës, në rekomandim vlerësohet puna e qeverisë dhe nuk ka asnjë presje, pas përgjigjes “PO”.
“Ky progres raport ka një nënvizim shumë të fortë, nuk lë shteg për asnjë dyshim dhe alibi se, pse Shqipëria duhet ta marrë statusin e vendit kandidat, është një rekomandimi i pastër pa asnjë presje pas ‘PO’. Dua ta mbyll duke thanë ne sot jemi më shumë të rënduar nga pesha e përgjegjësisë, pavarësisht votimit në dhjetor nga vendet anëtare, përforcimi i që i ka bërë komisioni rekomandimit na bën të ndjehemi mirë, pasi puna ka vazhduar për një përpjekje të gjithanshme transformuese”, -tha Rama ndërsa falënderoi komisionarin Stefan Fyle për mbështetjen e tij.
Sipas kryeministrit Rama, “progres/raporti i KE-së është me shumë punë për qeverinë më shumë realizëm për opozitën”.
Duke theksuar vlerësimin që KE i bën operacioneve të policisë në fusha të ndryshme, kryeministri theksoi se politizimi i luftës kundër krimit, nuk i shërben askujt përveç krimit.
Kryeministri theksoi rëndësinë që maxhoranca dhe opozita të bëhen bashkë për axhendën kombëtare të integrimit në BE.
“Le të bëhemi bashkë për të patur një vijë të qartë ndarëse mes kampeve politike dhe kampeve në parlament dhe kampit tonë të përbashkët, të qytetarëve dhe përfaqësuesve të qytetarëve të këtij vendi dhe kampit të trafiqeve e korrupsionit. Të bëhemi bashkë për të ndarë axhendat partiake me axhendën tonë kombëtare, që pikë të parë të vetën ka Shqipërinë evropiane, Shqipërinë në BE”- deklaroi kryeministri.
Eurokomisioneri për zgjerim Stefan Fyle konfirmoi në konferencën e përbashkët për shtyp se Komisioni Europian e dha pa rezerva rekomandimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Tani pritet vendimi i 28 anëtarëve të Bashkimit Europian nëse do e mbështesin këtë propozim.
Eurokomisioneri theksoi se dhe në dialogun që patën në takimet në Selanik, u diskutua rëndësia e zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Dhe dolëm në përfundimin që zgjerimi mbetet një nga prioritetet e Komisionit”.
“Në këtë raport pasqyrohen ecuritë dhe progresi i kohëve të fundit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Progres raporti vjen vetëm njëherë në vit dhe disa prej jush keni raportuar se ky raport u shty, por në fakt u miratua sipas procedurave dhe planeve. Ne konfirmojmë pa pikë dyshimi dhe rezerva që shtetet anëtare ti japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Ne e kemi bazuar këtë në mënyrë të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, reforma në drejtësi, reformat. Jam inkurajuar nga angazhimi që është treguar nga Shqipëria dhe përpjekjet për reforma dhe shoh një angazhim nga autoritetet përkatëse”.
Fyle vecoi se bashkëpunimi, dialogu dhe një klimë e qetë politike ngrejnë lart para syve të Europës imazhin e Shqipërisë. “Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë prioritete kyce për ecjen përpara. Klima konfrontuese politike e dëmtojnë Shqipërinë. Qeveria dhe opozita duhet të kenë qasje kompromisi”.
Fyle për Grevën e Urisë
Eurokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë vuri theksin dhe tek cështja e grevës së urisë dhe thirrjes që grevistët i kanë bërë për ndihmë. Fyle u përgjigj sot duke u rekomanduar personave të Shoqatës së të Larguarve nga Puna që të mos venë jetën në rrezik sepse personalisht po e shikon me përparësi dhe cështjen e tyre.
‘Sa i përket grevës së urisë, kam njohuri, e di dhe jam njohur rreth tyre. Dhe e shoh me shqetësim, dhe u bëj thirrje grevistëve që mos të venë jetën e tyre në rrezik dhe i siguroj se ne flasim në mënyrë të rregullt me qeverinë dhe do vijojmë ta bëjmë këtë”.
PYETJET
Rekomandimi sipas asaj që lexoni ju ka qenë pa kushte. nga ndryshon raporti sot me atë të dhjetorit dhe si i lexoni ju mesazhet e skeptikëve?
RAMA: Komisioneri Fyle është njeriu më i duhur për të dhënë pikëpamjen më të qartë të dallimit mes dhjetorit dhe sot. Por, sa më takon mua, përsëris dhe sot se Shqipëria e meritonte që në dhjetor statusin, i kam thënë edhe arsyet që sollën shtyrjen e vendimit. Vlen të theksohet se argumenti pavarësisht shkaqeve ishte se pavarësisht punës mbresëlënëse na duhet më shumë kohë për të konfirmuar nëse do jetë punë e qëndrueshme, nëse do pasohet nga rezultate të qëndrueshme. Le të biem dakord që nuk është hera e parë që një qeveri e sapo zgjedhur bën disa gjëra mbresëlënëse. Në rastet e të shkuarës ka ndodhur, ka sjellë edhe hezitim që pas tre muajsh gjerat janë kthyer në pikënisje, madje edhe ka degraduar. Besoj se ne e treguam veten. Nuk ndjehem në kushtet për të folur për triumf. Nuk do dëgjoni nota triumfi nga unë e qeveria ime, pasi rruga e integrimit rrit përgjegjësinë, bëhet më e vështirë. Kalimi nga Matura Shtetërore në Universitet e bën më të vështirë punën për të marrë një kualifikim më të lartë. Për sa i përket skeptikëve, më lejoni ti gëzohem faktit që ne ia dolëm të bëjmë punën tonë. Më lejoni ti gëzohem mbështetjes së miqve. Ditët në vijim do kemi kohë edhe për skeptikët.
Raporti vjen në të tjera kushte, kanë fituar euroskeptikët. A mund të ketë kjo ndikim për statusin?
FYLE: Unë bie dakord se edhe përpara kushteve po të shikohet nga më afër do shikojmë njëfarë cilësimi, këtë herë ne ishim më të qartë për të mos bërë asnjë lloj cilësimi. Vendet donin të shihnin më shumë sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti jep pikërisht këtë panoramë, fotografim të një bilanci të përmirësuar. Ne duam t’ju japim një raport që të marrin një vendim. Ne mund të kemi numra të ndryshëm të parlamentarëve dhe deputetëve por jo politika të tjera. Unë besoj se rezultatet e zgjedhjeve në BE, do çojnë në një reflektim nga ana e të gjithëve ne, shpresoj që ky reflektim të jetë më shumë demokratik për sa i përket legjitimitetit. Unë besoj se zgjerimi nuk do ndikohet nga rezultatet e zgjedhjeve në BE. Historia e zgjerimit është një politikë e besueshme për një proces zgjerimi akoma më të fortë, do përqendrohet tek thelbësoret, forcimi i së drejtës dhe pastaj qeverisja ekonomike duke u përpjekur që më përpara të shikohet konkurueshmëria dhe shtylla e tretë për të cilën do flitet në progres raport do jetë fuqizimi demokratik. Këto janë shtyllat që përbëjnë themelet dhe që shtetet anëtare të bazohen për përgjigjet e tyre.
Zoti Fyle, kryeministri Rama, dje ka përdorur një krahasim sa i përket çështjes së integrimit, duke nënkuptuar se komisioni, mësuesi, sipas tij na vë notë të mirë, ndërsa drejtori, Këshilli i Ministrave nuk di çfarë vlerësimi do të na japë. Kaq qasje të ndryshme kanë?
RAMA: Më citoni saktësisht. Unë kam thënë, kemi detyrimin që të bëjmë atë që na takon për të marrë provimin për të cilin ka një komision, komisioni i provimeve. Pastaj a ka vend klasa që të hymë dhe ne apo duhet të presim, këtë e vendos drejtoria. Këtë kam thënë unë dhe e kam thënë kuptohet me një shaka që është gjysma e të vërtetës. Nëse insistoni që komisioneri të vijë këtu dhe të komentojë shakatë tona, mund ta bëni.
Nëse statusi do të na refuzohet nga drejtori, cila është përgjegjësia juaj në këtë rast?
RAMA: Nga drejtoria, jo nga drejtori. Jam i bindur që edhe ju si gjithë të tjerët, si televizion Klan jeni të gëzuar. Keni punuar edhe ju për statusin. Me kujton pyetjen, çfarë do bësh ti po të humbësh zgjedhjet? Ne në këtë rast e kemi bërë detyrën tonë. Vendimi për Shqipërinë shpresojmë, urojmë dhe po punojmë që të jepet bazuar në raportin e komisionit. Vendet anëtare kanë kërkuar një raport nga komisioni për të konfirmuar bilancin. Raporti ja ku është, por sigurisht vendet anëtare kanë edhe arsyet e tyre që nuk kanë lidhje me Shqipërinë. Unë nuk përgjigjem për dhimbjet e barkut që ka dikush tjetër, diku tjetër.
FYLE: Përsa i përket fushës së zgjerimit, komisioni punon ngushtë dhe në harmoni të plote me shtetet anëtare. Shtetet anëtare gjithmonë kanë vlerësuar objektivitetin e komisionit dhe faktin që ne përqëndrohemi tek faktet.
RAMA: As sot, as kur të marrin statusin nuk do ketë as fishekzjarre dhe as koncert, e as miting kundër opozitës. Do ketë vetëm një ditë për të shprehur rritjen e barrës së përgjegjësisë ndaj nesh. Nuk është e lehtë të kërcesh as vallen e shpatave me një tjetër kur tjetri nuk do, jo më të kërcesh Shtrausin kur tjetri nuk do. Ky është një kërcim shumë i sofistikuar për të shkuar bashkë drejt BE-së. Ne do bëjmë çmos që t’i ofrojmë opozitës gjithçka që të përfshihet në vallëzim, sepse vallëzimi bëhet bashkë. Jemi të vendosur që çdo reformë, çdo ligj, çdo hap ta diskutojmë me opozitën. Por ne kemi fituar zgjedhjet, opozita i ka humbur zgjedhjet, ne do dëgjojmë por do të udhëheqim, sepse nuk mund t’i justifikohemi të tjerëve, për më tepër komisionit duke i thënë që e ke ka fajin opozita. Ne do bëjmë çmos që opozita të jetë pjesë, por ne do të udhëheqim.
Çfarë mendoni se kane qenë problemet kryesore, që kanë qenë edhe pengesa për të arritur në këtë ditë, sidomos në vendimin që do të merret në fund të qershorit, që shpresojmë të jetë i bazuar tek rekomandimi?
FYLE: Kemi të bëjmë me një analizë për Shqipërinë. Çdo vend ka sfidat e veta specifikat e veta të cilat duhen marrë parasysh. Ka qenë e qartë, është dukur qartë me kohë që konsensusi më i gjerë në këtë vend mund të ishte për axhendën evropiane. Sa më i madh ky konsensus, aq më mirë do të ecnin gjërat përpara. Në Shqipëri mund të na jetë dashur të investonim pak më shumë se sa në vendet e tjera që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Që zgjidhja të gjendej për të mirën dhe në interes të qytetarëve shqiptare. Duhet të jetë diçka që gjendet në ajër në Shqipëri, se kushdo që është në opozitë, disa shqisa evropiane sikur fiken dhe bëhet tmerrësisht vështirë që të arrihet konsensusi për atë që unë gjithmonë e kam quajtur axhenda evropiane.
Duke qenë se e njihni mirë fizionominë e vende të BE nga 1 deri te 10 si mendoni se do të jetë vendimi për Shqipërinë?
FYLE:Unë nuk do i përgjigjem kësaj pyetjeje. Jo, jo, ju lutem ne jemi partnerë, komisioni dhe shtetet anëtare dhe ne nuk spekulojmë vendimet për njëri-tjetrin dhe nuk përdorim vlerësime nga 1 deri tek 10, dhe nuk do e përdor këtu këtë sot këtu.
Kërkuat sot reforma, por në vend ka nisur dhe një reformë e rëndësishme, reforma administrative. Mendoni që reformën administrative duhet që qeveria ta miratojë e vetme?
FYLE: Më lejoni t’ju them në mënyrë të qartë dhe pa pikë dyshimi që cështja është diskutuar gjatë dialogut të nivelit të lartë dhe më lejoni që t’jua bëj të qartë se unë e kam ngritur këtë cështje dhe kam thënë që është e një rëndësie tejet të madhe që cështje kaq vendimtare sa kjo që procesi të jetë gjithpërfshirës dhe kjo varet, është në dorë të qeverisë dhe opozitës kjo gjithëpërfshirje është e rëndësishme. Nuk e them këtë se kjo fjalë përdoret shpesh në Bruksel dhe është fjalë e bukur, por gjithëpërfshirja është e domosdoshme dhe duhet të ecet përpara dhe duhet të kuptoni në fillim që duhet gjthëpërfshirje dhe ky është një mesazh për të gjithë.
Pse vendoset sot z Rama për të thyer traditën sepse zakonisht shpreheni se i njihni meritat, dhe vendosët sot të mos i njhni meritë qeverisë së kaluar, nëse e marrim statusin?
RAMA: Të marrim statusin dhe pastaj ti njohim meritat dhe për të tjerët që kanë qenë para nesh, por le ta themi hapur për sa na takon në këtë periudhë nuk mendoj se kemi pasur që kemi ndihmë bujare për rezultatet që kemi arritur. Ky raport për mua, lexohet kështu, më shumë përgjegjësi dhe më shumë punë për qeverinë, më shumë realizëm dhe më shumë përgjegjshmëri për opozitën, opozita duhet të zbresë sa më shpejt në tokë sepse sic e shihni raporti i bërë nga një palë e tretë, se është njohur se punonte fakte dhe jo me thashetheme, punon me kritere objektive dhe jo me subjektivizëm flet qartë për një medalje që ka dy anë komplet të kundërta, a qoftë për luftën kundër korrupsionit, luftës kundër drogës, krimit të organizuar. Kështu që unë sot falënderova dhe Komisionin e Integrimit, kryetaren Bregu se një pjesë e meritës i takon kryetares së komisionit. Komisioni i Integrimit ka qenë një hapësirë ku është vazhduar puna normale dhe ku nuk është importuar ajo që fatkeqëshit importohet të enjteve në parlament. Të marrim statusin, dhe nuk do dëgjoni nga unë e nga ne që statusi i vendit kandidat është arritje ekskluzive e qeverisë sonë, nuk do e dëgjoni nga ne se, është arritje ekskluzive sepse janë arritje të përbashkët, një stafetë. Eurokomisioneri tha se do ketë raporte të reja, një në tetor, se statusi kështu e ka, presim raporte. Sic e ka tradita, fjala e fundit i jepet mikut dhe në tavolinën e dialogut të lartë ia lamë opozitës. (qesh)
FYLE: (Qesh dhe ai) Mund ta konfirmoj këtë vërtet ashtu ndodhi. Asnjë në raportet tona nuk janë lidhur me një qeveri të caktuar por në traktat ne i referohemi shtetit. Në tryezë, unë thashë që puna pozitive nuk duhet të ndalohet me aq, nëse je me qeverinë apo në opozitë. Secili prej jush ka një rol për të luajtur për të cuar vendin përpara dhe për këtë dua ti them urime, Shqipërisë dhe për këtë raport pozitiv, dhe me vërtet që ne të kemi raundin tjetër për prioritetet kyce që do të ndodhë në muajin shtator.














