Dhimbja mbizotëron për dhjetëra personat që humbën jetën nga përplasja e trenit në Tempi, me familjet e tyre që po përballen me situatën dramatike. Një rast i tillë është edhe për familjarët e 23-vjeçares së ndjerë me origjinë shqiptare, Ifigenia, varrimi i së cilës do të bëhet sot në Giannica.
“Sot është një moment shumë i vështirë për familjen e 23-vjeçares Ifigenia Mitskas, në orën 11:00 varrimi i saj bëhet në Giannica”, tha avokati i familjes së vajzës në emisionin e Giorgos Autias në SKAI.
“Trishtimi dhe zemërimi po derdhen. Ne kemi besim te drejtësia greke, jemi të sigurt se përgjegjësitë do të mbahen aty ku i takojnë. Familjet e viktimave presin një ndjesë të sinqertë të cilën nuk e kanë dëgjuar”, shtoi Sourlas.
Mediat greke shkruajnë se e reja shqiptare ndodhej në sediljen e 67 në vagonin e tretë natën fatkeqe, trupi i saj u identifikua dy ditë pas aksidentit.
Ajo po udhëtonte me partnerin e saj, i cili u shpëtua i plagosur, ndërsa teksa po e nxirrnin nga rrënojat, ai i kërkoi ndihmë për të dashurën e tij që ishte ende brenda. Njerëzit e saj po bëjnë thirrje që përgjegjësit për përplasjen e trenit që vrau dhjetëra fëmijë të vegjël të mbajnë përgjegjësi.





















