Qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes me nivelin e borxhit publik dhe të shikojë mundësinë që të rikthehet te balanca primare pozitive brenda vitit 2023 dhe jo në vitin 2024, siç planifikon Qeveria pas ndryshimeve të fundit në buxhetin e këtij viti dhe në ligjin organik të menaxhimit buxhetor.
Kërkesa për kujdes është bërë nga Këshilli Evropian.
“Duke u kushtëzuar që rimëkëmbja ekonomike të vihet në shinat e duhura, Shqipëria duhet të shohë mundësinë që në 2022 buxheti aftamesëm fiskal të planifikojë një reduktim gradual të borxhit publik, bazuar në parashikime reale dhe të rikthehet te balanca primare pozitive brenda vitit 2023, në përputhje me ligjet fiskale”, thuhet në dokumentin me konkluzionet e përbashkëta të dialogut për fushën ekonomike e financiare mes Shqipërisë dhe BE-së.
Rregulli fiskal i vendosur në vitin 2016-të me këmbënguljen e Fondit Monetar Ndërkombëtar përcakton që deficiti buxhetor brenda një viti të mos jetë më i lartë se 2 për qind e PBB-së. Qeveria e pezulloi në fund të qershorit zbatimin e këtij rregulli duke e shtyrë atë në kohë për pas vitit 2024.
Me ndryshimet e fundit, deficiti buxhetor arrin në 7.1 për qind të PBB-së së pritshme vetëm në 2021, nga 6.5 për qind e PBB-së që ishte përcaktuar në ligjin fillestar të buxhetit të vitit 2021. Përfshirja e rregullit fiskal deficit 2 për qind e PBB-së në Ligjin e Menaxhimit Buxhetor pesë vite më parë, plotësoi standardin e kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian.
Shqipërisë i kërkohet që të vazhdojë të reduktojë stokun e borxheve që burojnë nga mospagesa e kontratave të prapambetura, të shlyejë brenda vitit 2022 rimbursimin e TVSH-së dhe të analizojë me kujdes arsyet e rritjes së borxheve nga bashkitë. Kujdes kërkohet edhe me investimet, tenderat dhe PPP-të. KE këshillon Shqipërinë që të orientojë fondet drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor, inovacionit, arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë sociale.
Këshilli i kërkon gjithashtu Qeverisë shqiptare që të forcojë kapacitetet institucionale dhe vetëdijësojë ato mbi rrisqet fiskale, ku borxhi është njëri prej tyre.



















