Petrit Kuçana
Zhurma e motorëve të fushatës elektorale po mbyt qëllimshëm, një ndër krye-temat që duhej të ishte pjesë e pandarë e diskutimit publik të shoqërisë shqiptare; diasporën, pra shqiptarët që jetojnë jashtë.
Në kapërcyellin e kohës, kur pritej llogaridhënia, ose së paku tu përgjigjeshin “pse”-ve e shumta që mund të ngriheshin, u dëgjuan rrëshqitazi nga qeveritarët, dy justifikime për mungesën e votës së diasporës në këto zgjedhje. U akuzua KQZ-ja dhe opozita si shkaktarë të mosrealizimit të kësaj të drejte të mohuar tashmë prej dekadash.
Gati në befasi mund të jenë zënë përfaqësuesit e shtetit shqiptar, kur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u publikua shifra e pak me shumë se 900 vetave të regjistruar (besohet se ky numër ka shkuar deri në 3500 ).
Mbase do të ishte cinike të konstatosh, që ky numër është shumë më i vogël se fotot që ministri i Diasporës ka bërë nëpër shtegtimet e tij në folezat e shqiptarëve nëpër botë, apo gjysma e pjesëmarrësve në njërin prej samiteve të diasporës.
Ka një “Pse” themelore që me një minimum serioziteti pushtetarët do të duhej tu përgjigjeshin se përse nuk u regjistrua diaspora?!
Si proçes administrativ, regjistrimi i shqiptarëve me banim jashtë nuk kërkon më shumë se sa një vullnet normal të deklaruar dhe stër-deklaruar jo vetëm gjatë këtyre 8 viteve.
Me zë dhe me figurë dy ish-ministrat më të rëndësishëm të kabinetit Rama, Sajmir Tahiri dhe Ditmir Bushati me datën 12 janar 2016 deklaruan se përfundimisht diaspora nuk do të jetë më jetime, por që tashmë kishte filluar regjistrimi i shqiptarëve jashtë. Përveç asaj deklarate me zë dhe me figurë, nuk pamë asnjë nismë tjetër që të vërtetonin që e kisin seriozisht këtë proces. Për tetë vite në pushtet u regjistruan rreth 900 veta, aq sa ç’mund të ketë anëtarë të partisë në pushtet në një shtet të vetëm, Itali ose Greqi, dhe më cinikët do të shtronin pyetjen se sa vite i duheshin një force politike në pushtet, për të regjistruar te paktën 1.6 milion shqiptarë.
Kujtojmë këtu që teknikisht kjo gjë është “sosur” që më 18.2.2016. (Ligj Nr.14/2016 Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, miratuar në parlament me datën 18.2.2016)
Pse-ja e mos-regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë ka shuar çdo dritë propagande dhe tam-tamesh që u bë gjatë këtyre viteve, me regji qëndrore për diasporën. Mund të jenë të shumtë ata që kanë fajësuar edhe ministrin e shtetit për Diasporën, por nëse shikohet lënia e tij jashtë vijës së kuqe, kuptohet se heshtja e tij për të mos thënë pamundësia për të qenë minister, e çuan në këtë derexhe.
Dhe ja ku gjendemi pas tetë vitesh në pushtet, ku shuhen si vesa para diellit ato premtimet euforike se “E gjithë vemendja është tek Diaspora”, ku së paku nuk mundën të regjistronin as anëtarët e partisë së tyre që militojnë nga shtete të ndryshme. Njëherë të vetme nuk kemi degjuar kryeministrin, në orët pafund të transmetimeve live apo të konferencave për media që të marrë guximin të shqiptojë atë fjalën e madhe “regjistrohuni”, (as tani nuk e thotë).
As nga Majko nuk u dëgjua. Ka qenë vetëm ajo konferenca për shtyp e dy ish-ministrave të kabinetit Rama, atij të brendshëm dhe të jashtëm,Tahiri dhe Bushati, në fillim vitin e 2016, që deklaruan se tashmë do i japim fund mungesës së përkujdesjes për diasporën. E gjitha mbeti aty, një premtim i përsëritur.
Kaq? Në të vërtetë u krijuan edhe struktura (të komanduara) qoftë në krah Ministrit të shtetit për diasporën apo KKD me shqiptarët jashtë, por nuk arritën që të realizonin kërkesën elementare, regjistrimin e shqiptarëve me banim jashtë Shqipërisë. Kushedi sa të (sh)përdorur janë ndjerë dhe ndjehen ata që vërtet besuan, apo qoftë edhe shpresuan. Asnjë strategji nuk u pa për regjistrimin e diasporës, ku mund të përfshiheshin qoftë KKD apo ambasadorët e Kombit etj etj apo diaspora në vetvete.
Të gjithë ata që besonin që Majko është (ose duhet të ishte) ministri ndryshe, tashmë mbase janë të zhgënjyer, qoftë për pafuqinë e tij për të folur, sidomos kur emigrantët shqiptarë u ndaluan të hynin në tokën mëmë në fillimin e pandemisë, por u lanë në acarin e Kapshticës.
Pra Majko nuk foli për emigrantët apo qoftë për teatrin (nuk mundi) dhe sot përfundoi jashtë listës fituese të partisë në pushtet. Kushedi çfarë mund të ndodhte nëse ai do të reagonte ashpër si ministër i Diasporës, kur shikonte pamjet e tmerrit në Kapshticë, ose kur raportoheshin skandalet e turpshme të çmimeve me aeroportin e Rinasit, apo me trajtimin që u bëhet emigrantëve nëpër ambasada dhe kosullata apo me qindra çështje të tjera.
Nëse Mako do të mund të ishte i tillë padyshim do të kishte mbështetjen e fuqishme të diasporës, apo të qytetarëve normalë shqiptarë, por duket se ka më shumë keqardhje për ministrin që nuk mundi, apo qoftë përçmim sidomos tek ata që besojnë në detyrën e lartë të shërbyesit ministër.
Mbase Majko është përsonifikimi i jetës së brendshme politike të partisë në pushtet, që mbetet thuajse aspak e rëndësishme për diasporën, në krahasim me kërkesat, apo premtimet marramanedëse që iu bënë diasporës, para tetë viteve. Nuk do të ishte shumë e këndshme si mbamendje e “Ministrit që nuk mundi”.
Çdo lloj institucioni apo lloj agjencie, qoftë KKD ose jo, dështuan tu përgjigjeshin shqiptarëve të diasporës për PSE-në e mosregjistrimit të tyre.
Nga ana tjetër pamë një tentativë të kryeministrit Rama për të reklamuar disa kandidatë për deputet si “përfaqësues” të diasporës. Është lajm shumë i mirë që shqiptarët e diasporës të jenë deputetë në kuvendin e shqipërisë, por duhet sqaruar që më kryesori i reklamuar është Lavdrim Krrashi i cili orej vitesh është kryetar i Partisë Socialiste në Britaninë e Madhe. Krejt ndryshe do të ishte situata në qoftë se do të kishte përzgjedhur për qarkun e Dibrës profesorin e Universitetit të Birminghamit Z.Gëzim Alpion i cili para 8 vitesh nuk pranoi të ishte pjesë e videomontazheve që u bënte Edi Rama, apo një nga 50 PHD doktorët e shkencave shqiptarë në Britani, etj etj.
Duhet theksuar se dega e PS-së në Britani, dështoi të bindë eprorët në Tiranë për heqjen e kufizimeve të makinave me krah britanik, masë kjo e vendosur që nga koha kur Edi Rama erdhi në pushtet.
Shpresojmë vërtetë që Lavdrim Krrashi si i pari në listën e Dibrës, të mund t’ia kalojë Majkos në adresimin qoftë edhe të këtij problemi. Deri atëherë, çdo lloj tentative për të dëshmuar “përkujdesje” për Diasporën do të japë efektin e kundërt, pasi propaganda nuk mund të ngjisë tek shqiptarët e diasporës të cilët as nuk shiten dhe as nuk mund të blihen me para ose vende pune. Diaspora nuk mund të tolerojë shpërfilljen dhe kushedi sa rreken të kuptojnë se PSE nuk vazhdon regjistrimi i Diasporës…





















