Në Gjykatën Speciale në Hagë sot është mbajtur seanca e katërt statusore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka njoftuar se mbrojtësit e Thaçit dhe Krasniqit kanë paraqitur kërkesa me shkrim që të kenë qasje në intervista dhe në dokumentet tjera të dëshmitarëve.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se bëhet fjalë për deklaratat e 19 dëshmitarëve. Prokuroria ka thënë se është duke u punuar në nxjerrjen e materialeve dhe se kërkesa e mbrojtjes ka të bëjë me deklaratat paraprake dhe jo për intervistat e dhëna pranë Prokurorisë.
Por, avokati i Thaçit, David Hooper, është shprehur kritik për qasjen e prokurorisë ndaj palës mbrojtëse. Sipas tij, prokuroria po bëhet “gjithnjë e më jobashkëpunuese” me mbrojtësit.
“Nxjerrja (e materialeve) të bëhet në mënyrë të vazhdueshme. Të na jepet komplet, për shembull, paketa e dëshmitarit A dhe çdo dokument që lidhet me të, nq mqnyrë që të mund ta shqyrtojmë deklaratën e tij”, ka thënë Hooper.
Ai ka shtuar se mbrojtja kërkon edhe listën paraprake të dëshmitarëve që prokuroria dëshiron t’i ftojë në gjykim, si edhe dokumentet që lidhen me dëshmitarët.
Hooper ka thënë se prokuroria ia ka ofruar mbrojtjes dokumentin prej 60-70 faqesh të intervistës së Thaçit para Dhomave të Specializuara, të dhënë në korrik të vitit të kaluar, por nuk i ka ofruar dokumentet që i janë paraqitur Thaçit gjatë intervistimit të tij.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, e ka pranur këtë kërkesë të mbrojtjes dhe e ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’ia dorëzojë mbrojtjes të gjitha dokumentet që u janë prezantuar të akuzuarve gjatë intervistimit.
Ai ka thënë se, në të ardhmen, Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet t’i japë prioritet nxjerrjes së materialeve që kanë të bëjnë me dëshmitarët, të cilat mund të jenë shfajësuese për të akuzuarit.
Giullou ka thënë gjithashtu se Prokuroria duhet t’i nxjerrë intervistat e dëshmitarëve në dosjen e nxjerrjes së informacioneve.
“Kjo do ta ndihmonte mbrojtjen në punën e saj”, ka yhënë ai.
Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit kanë kërkuar që prokuroria t’ua japë edhe materialet audio-vizive të intervistave të dëshmitarëve, me arsyetim se atom und të kenë pësuar ndryshime gjatë përkthimit të dëshmive. Por, kjo kërkesë është hedhur poshtë nga gjyqtari Guillou, i cili ka thënë se transkriptet e intervistiave janë të mjaftueshme që mbrojtja të konstatojë nëse gjatë përkthimit të dëshmive të dëshmitarëve është bërë ndonjë lëshim.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se pret që deri në javën e dytë të muajit shtatorit të përfundojë nxjerrjen e materialeve, duke lënë të kuptohet se nuk mund ta nxjerrë dosjen paraprake apo paragjyqësore të rastit.
Dosja paraprake përmban një përmbledhje të provave për çdo akuzë, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprave penale të pretenduara.
Pala mbrojtëse ka thënë se prokuroria po e shtyn me qëllim nxjerrjen e kësaj dosjeje. Avokati i Veselit, Ben Emmerson ka thënë se mbrojtjes i duhet kjo dosje, për të nisur hetimet e saj.
Gjatë konferencës statusore të mbajtur më 16 shkurt, Prokurori i Specializuar Jack Smith kishte deklaruar se prokuroria do që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e nisjes së gjykimit, për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve.
Por, Emmerson, gjatë konferencës së sotme statusore, ka thënë se prokuroria po e bën këtë me qëllim që “mbrojtja të ketë pak kohë ta analizojë atë”.
Në konferencën e sotme statusore, të akuzuarit kanë marrë pjesë përmes video-konferencës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Kosovë, në periudhën ndërmjet marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë qenë në dijeni për kryerjen e këtyre krimeve, por nuka kanë ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre. Madje, sipas aktakuzës, ata edhe e kishin nxitur kryerjen e këtyre krimeve.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së, përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, I kanë frikësuar, denigruar dhe eliminuar kundërshtarët politikë.
Në aktakuzën prej 68-faqesh, ka edhe akuza për vrasje të paligjshme, të cilat janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, vrasjet janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.





















