Qeveria e Kosovës, të premten, ka marrë vendim që t’i heqë kufizimet në intervalet e fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
“Ministria e Infrastrukturës ka vlerësuar se mund të hiqen kufizimet prej 45 minutash ndërmjet aterrimeve dhe të vazhdohen operimet pa kufizime në numrin e fluturimeve, por me masa të shtuara që do të implementohen nga Aeroporti dhe do të monitorohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës dhe autoritetet e tjera relevante”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Më 5 korrik qeveria pati vendosur që fluturimet të realizohen në intervale kohore prej 45 minutave, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten edhe vendimin për hapjen e të gjitha pikave kufitare me vendet e rajonit, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në qershor, Qeveria e Kosovës vendosi për rihapjen e kufijve tokësorë që ishin mbyllur qysh më 13 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por, përmes atij vendimi nuk ishin hapur të gjitha pikat kufitare me vendet fqinje.
Qeveria ka sqaruar se mbeten në fuqi të gjitha masat që ishin miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e Kosovës.




















