Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për armatosjen e shteteve fqinje të Serbisë, të cilat janë anëtare të NATO-s, veçanërisht të Kosovës, të cilën ai e quaj “fëmijë të dashur“ të tyre.
“Amerikanët, turqit dhe gjermanët kujdesen për fëmijën e tyre të dashur,” tha Vuçiq, duke aluduar për Kosovën, citon Gazeta Express.
Ai ka thënë se Uashingtoni, këto ditë, ka dërguar automjete të blinduara Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vuçiq ka thënë se tashmë kanë filluar disa nisma për forcimin e forcës ajrore të Serbisë, veçanërisht në komponetën bombarduese. Ai ka thënë gjithashtu se do të forcohet edhe kapaciteti i mbrojtjes kundër-ajrore.
Kohët e fundit, Serbia mori nga Rusia një sistem të sofistikuar të mbrojtjes raketore dhe avionë e helikopterë ushtarakë dhe mjete të blinduara. Ndërkaq, nga Kina është furnizuar me drone.
Zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar edhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, nëse ajo pajiset nga Moska me armë që mund të rrezikojnë sigurinë e vdeneve fqinje të Serbisë, të cilat janë anëtare të NATO-s.




















