Pas 3 rrëfimeve të ndryshme në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” dhe “Shqipëria Live”, për dhunë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ka reaguar për herë të parë institucioni.
Në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, Raimonda Draçini, përgjegjëse e sektorit social të Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, është shprehur se pas këtyre rrëfimeve askush nuk ka shkuar te ky institucion që të investigojë rreth ngjarjeve.
E pyetur nëse “kanë shkuar policë apo ndonjë njeri tjetër përkatës për të bërë ndonjë pyetje se kush ka qenë roje dhe kush ka dhunuar në këtë institucion”, Draçini shprehet se nuk ka shkuar asnjë.
“Asgjë nuk ka ndodhur që kur janë bërë publike këto rrëfime. Ne kemi vijuar si zakonisht aktivitetin e përditshëm. Unë jam në këtë institucion që në nëntor të vitit 2015 dhe në 2016 është ndryshuar i gjithë stafi”, ka treguar Raimonda.
Kjo e fundit ka shtuar se nuk ka fëmijë te Shtëpia e Fëmijës Shkodër, nga periudha që 3 të rinjtë kanë rrëfyer historitë e tyre. E pyetur nëse janë trajtuar nga një psikolog këta fëmijë të dhunuar, ajo shprehet: “Ata fëmijë që kanë qenë më përpara nuk janë më në institucionin tonë, por janë trajtuar nga ana e psikologes. Po, në bashkëpunim me organizatat që ne punojmë dhe janë në ndihmë të institucionit, kemi ndihmuar fëmijët që kanë patur probleme. Ka patur seanca të vazhdueshme me problemet që kishin dhe dëshmitë janë marrë nga ana e Prokurorisë”, vijon Draçini.
Kjo e fundit ka shtuar se “janë disa çështje penale që po ndiqen nga Gjykata e Shkodrës për ngjarjen e vitit 2016, por në lidhje me deklaratat e bëra publike së fundmi nuk ka asnjë të dhënë”.
Draçini ka treguar gjithashtu se nuk ka asnjë reagim nga ana e Bashkisë së Shkodrës.



















