Hetimet e orëve të fundit kanë zbardhur deri diku vrasjen e kryer mëngjesin e djeshëm në fshatin Mborje të Korçës. Policia, bazuar në provat në vendngjarje dhe gjurmët e gjetura në trupin e viktimës kanë bërë të mundur ndalimin e një personi të dyshuar për krimin.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë në bashkëpunim me Prokurorinë kanë kryer disa veprime hetimore për vrasjen e Flamuer Duçit. Ai u gjet i vrarë në dyqanin e tij, ndërsa Policia ka bërë të mundur ndalimin e autorit të dyshuar .
Ai është shtetasi Devis Hoti, 18 vjeç i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, bazuar në hetimet e kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Vrasja me dashje”. Vijojnë hetimet për sqarimin e mëtejshëm, dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.




















