Rosario Petta është përfaqësues i arbëreshëve, njëherësh edhe kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali, një personalitet i rëndësishëm botës dhe kulturës arbëreshe. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka emëruar këshilltar të jashtëm. Eshtë vlerësuar me çmime të ndryshme nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë për kontributin e tij të çmuar në ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave arbëreshe. Ky personaltiet meriton mirënjohje dhe respektin më të thellë pasi mesazhet e tij janë të qarta dhe mësime ta për çdo shqiptar, anembanë botës: “të kujtojmë dhe të nderojmë historinë kudo që të ndodhemi, për hir të heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe për hir të shenjtores tonë Nënë Tereza, sepse një shqiptar kurrsesi nuk mundet të harrojë se ndajmë “një gjak, një gjuhë, një botë”.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Ne jetë kam pasur fatin të merrem me çfarë kam ëndërruar që fëmijë, të punoj me pjesën teknike në sektorin e ndërtimit. Loja e preferuar kur isha fëmijë ishte të projektoja struktura në miniaturë dhe bëja sikur punoja dhe me masat e sigurisë teknike. Me kalimin e kohës ëndrra ime filloi të konkretizohej, fillimisht me marrjen e diplomës si Gjeometër, më pas me mbarimin e studimeve universitare si Inxhinier Civil, por realizimi i plotë i kësaj ëndrre ndodhi kur u emërova në Drejtorinë Rajonale për Infrastrukturën për të gjithë hapësirën e Siçilisë.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional\personal?
Pa dyshim, një nga momentet më të rëndësishme, është kandidimi im në zgjedhjet vendore në vitin 1993, kur isha thjesht një teknik në moshe të re dhe për habinë time dhe habinë e të gjithëve, zgjidhem këshilltar në bashkinë time, Piana Degli Albanesi ( Ultësira e Shqiptarëve), madje duke arritur i treti në listë, pa pasur eksperienca politike të mëparshme. Ishte një emocion i papërshkrueshëm zgjedhja ime në një pozicion politik, i cili do më jepte mundësinë t’i shërbeja komunitetit dhe të mirës së përbashkët.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a keni një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Unë besoj se çelësi i suksesit është të gjendesh i përgatitur për momentin kur ai do të trokasë, të improvizosh ose të hiqesh si dikush që nuk je, nuk të çon asgjëkund. Meditoj shumë mbi vendimet që duhet të marr dhe rrugën që duhet të ndjek, por në momentin që kam vendosur se çfarë duhet të bëj, futet në lojë kokëfortësia ime prej arbëreshi dhe nuk ka kthim pas. Koha ka treguar se kam bërë zgjedhjet e duhura.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktonit më të vështirat në jetë?
Të zgjedhurit për të qenë pjesë e një partie, e cila nuk ishte forcë kryesore në vendin tim, që për 50 vjet rresht kishte ndjekur një rrymë krejt të kundërt politike, duke arritur për herë të parë të marr fitoren, sigurisht më bën shumë krenar.
Sfida më e fundit është fitorja në zgjedhje dhe emërimi im si kryetar bashkie i një komuniteti me të cilin kam një lidhje shumë të fortë.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do të ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera. Si ju rezulton bilanci me zgjedhjet tua?
Po më ka ndodhur, besoj është normale në momentin që kalon të pesëdhjetat të ndalosh dhe të bësh një farë bilanci rreth jetës. Pasi kam bërë dy llogari, e konsideroj veten një njeri me shumë fat, falënderoj Zotin për çfarë më ka dhuruar dhe që më ka drejtuar në zgjedhjet e rëndësishme.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Jam i mendimit se shpesh herë, jemi ne vetë që i krijojmë limite vetes, nga ana tjetër besoj se kalimi i sfidave me përulje dhe modesti është një kartë fitimtare. Martesa dhe të qenurit baba i një vajze të mrekullueshme, është një tjetër arritje për mua, është e rëndësishme të kesh një familje që të mbështet. Mendoj se dhe nga ana profesionale kam arritur nivele prestigjioze.

Çfarë evokimesh të djeshme dhe të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës atdhe?
Jam lindur dhe jam rritur me ëndrrën e madhe për të parë nënën Shqipëri, iu detyrohem shumë prindërve të mi, të cilët që ma kanë ushqyer me një dashuri të pafund për kulturën dhe origjinën.
Në vitin 1997 kam vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe kam akoma mbresa dhe emocione për mikpritjen me aq dashuri të vëllezërve shqiptar. Me kalimin e viteve jam kthyer gjithmonë e më shpesh për shkak të detyrës time si kryetar bashkie, emocioni është gjithmonë i njëjtë dhe dashuria sa vjen e rritet për këtë vend që e konsiderojmë pjesë të zemrës.

Çfarë do të thotë të jesh arbëresh?
Është shumë e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje, është gjithmonë e vështirë të shprehësh ndjesitë që na karakterizojnë si qenie. Ka qenë fat të lind arbëresh dhe që fëmijë të marr frymë shqip, t’i përqasem gjuhës e kulturës tonë. Fjala e parë që mësojmë është “Tata”, baba dhe prape në shqip formulohen dhe frazat e para, mendimet e para. Identiteti i fortë që kemi, na bën shpesh të ballafaqohemi dhe me komunat që kemi përreth, të cilat e kuptojnë me sa xhelozi përpiqemi të ruajmë identitetin tonë. Aq është i rëndësishëm fakti i të ndjerit tonë arbëresh, sa dhe banorë të tjerë që transferohen në komunën tonë në një kohë të shkurtër përvetësojnë gjuhën dhe traditat tona. Unë jam italian, sicilian, por mbi të gjitha jam krenar që jam arbëresh.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e mëmëdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të jeni të suksesshëm?
Vlera më kryesore e ekzistencës tonë, mendoj se është krenaria, e dëshmuar nga etërit tanë dhe e përcjellë nga brezi në brez, veti që na ka lejuar të ruajmë origjinën dhe identitetin tonë italo-shqiptar. Mikpritja është pjesë e ADN-s tonë. Jemi të ndërgjegjshëm se toka italiane na ka mikpritur në 1448, ndaj dhe ne arrijmë të jemi mikpritës ndaj popujve në vështirësi.
Karakteri dhe qëndrueshmëria e popullit arbëresh është e njëjtë si tek shqiptarët që kam takuar në rrugëtimin e jetës time.
Si mendoni se mund të përmirësohet bashkëpunimi ndër-shqiptar?
Mendoj se projekti i qeverisë shqiptare për Diasporën, është vetëm fillimi i një procesi unifikimi i të gjithë shqiptarëve të shpërndarë në botë. Besoj se ka ardhur momenti që shqiptarët të jenë kryelartë për origjinën dhe historinë, njëkohësisht duhet t’i japin shembull botës se çfarë do të thotë të japësh për komunitetin dhe bashkëjetosh në një bashkësi heterogjene. Jam shumë krenar për emërimin në Këshillin e Komitetit për Diasporën, ku dhe me vendosmëri do të aplikoj të gjitha iniciativat në mënyrë që të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë shqiptaro-arbëresh.

Çfarë duhet të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Sigurisht që nuk mundem të ndërhyj në punët e brendshme të shtetit shqiptar, gjithsesi mund të pohoj se puna e madhe e bërë nga shteti shqiptar në shkëmbimin e raporteve të jashtme, po jep frytet e veta duke vendosur në qendër të vëmendjes popullin shqiptar, një popull punëtor dhe i sakrificave. Në këtë mënyrë do jetë i barabartë me popujt e tjerë të perëndimit dhe i lirë të shprehë identitetin e tij.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria\ qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit nga qeveria\qeveritë shqiptare?
Programi i Diasporës është një pikë nisje shumë rëndësi për përfshirjen e ekselencës shqiptare mbarë botën. Është e qartë që nga ana tjetër duhen vënë në dispozicion të mëmëdheut e tërë eksperienca dhe bagazhi kulturor personal dhe profesional i të gjithëve.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e kohës. Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Të vendos një korridor ndër-shkëmbimesh mes komunitetit arbëresh të Italisë dhe Shqipërisë. Ka një interesim shumë të fortë nga ana jonë për tokën amë, nga ana tjetër dhe toka amë ka një interes të madh për të njohur komunitetet tona, të cilat kanë ruajtur me fanatizëm për 500 vjet gjuhën, traditat, kulturën .

“The Albanian” tanimë ka mbi një milion ndjekës on-line. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim?
Historia na mëson se të gjithë popujt, kanë kaluar momente jo fort të lumtura përgjatë ekzistencës së tyreë ne arbëreshët kemi gjithmonë një plagë të hapur, që na bën të kthejmë kokën gjithmonë nga toka e të parëve. Nëse në njërën anë distanca na ka shkaktuar shumë dhimbje, në anën tjetër kjo largësi ka bërë që të ruajmë të pacënuar gjuhën siç flitej 530 vjet më parë.
Mesazhi im është të kujtojmë dhe të nderojmë historinë kudo që të ndodhemi, për hir të heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe për hir të shenjtores tonë Nënë Tereza, sepse një shqiptar kurrsesi nuk mundet të harrojë se ndajmë (shkruajtur në shqip nga Z.Petta) “një gjak, një gjuhë, një botë”.
Intervistoi: Jorida Ramadani



















