Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kancelarit austriak Sebastian Kurz i ka thënë se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë është e vdekur.
“Ideja ka vdekë. Si mund dikush të dalë t’i thotë Kosovës: ‘e keni njohjen e Serbisë, vetëm duhet me ia dhanë do tokë”, ka thënë Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë.
“E vërteta e këtij skenari është me ia dhanë Serbisë do tokë. Me ble njohjen me tokë. Nëse e hap temën e territorit të shtetit tënd atëherë nuk je më ai që je deklaruar”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se këtë ia ka thënë Kancelarit austriak, Sebastian Kurz.
“Austria është aleat i Kosovës. Vetë vizita e kancelarit e dëshmon këtë. Jemi të interesuar të arrihet një marrëveshje me Serbinë, por ajo nuk arrihet me ndarje. E përsëris. Këtë ia thash edhe kancelarit. Shkëmbimet, korrigjimet… janë mbulesë që Kosova me jep një pjesë të territorit në këmbim të njohjes”, ka theksuar ai.
Sipas Haradinajt, kancelari Kurz nuk ka thënë se korrigjimi i kufijve duhet të jetë zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është mirë me u mërzitë se Kurz nuk po thotë se kjo është zgjidhja e tij e preferuar, nuk po thotë se kjo duhet të jetë zgjidhja”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka përsëritur se një shkëmbim i mundshëm i territoreve do të sillte trazira në Ballkan dhe ka theksuar se në tryzën e bisedimeve me serbinë nuk mund të shtroihen çështjet e brendshme të Kosovës.
“Një pjesë e BE-së mendon se gjithçka duhet të shtrohet në tavolinë me Serbinë: edhe lëvizja e kufijve, edhe shkembimi i territoreve apo falja e një pjese, edhe liberalizimi i vizave, edhe ushtria… Por, kjo nuk mund të ndodhë, sepse, para së gjithash, duhet të jemi vetvetja. Nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë nuk jemi shteti që jemi prezantuar dhe jemi njohur”, ka thënë Haradinaj.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Haradinaj ka thënë se ka shpresa që kjo do të ndodhë shpejt, por ka shtuar se ka mendime që s’është koha e përshtatshme për t’u realizuar.
(Gazeta Express)
























