Nga Ndriçim Kulla
E para, pa asnjë mëdyshje se qeveria ka përgjegjësinë e saj ndaj shtresës që konsiderohet si pararoja e shoqërisë sonë. Por pedagogët e universiteteve që rrëzuan diktaturën e Hoxhës, nuk guxuan të ngrihen në kohën e duhur as për pagat e tyre pa lëre më për problemet e shumta të shoqërisë dhe arsimit shqiptar. Imagjinoni që shoqëria jonë të presë që të reagojnë për votën e lirë, drogën, korrupsionin, krimin etj. etj., probleme këto që realisht te ne nuk janë problem vetëm i një qeverisjeje. Kjo është e kobshme për vendin. Nuk është arsyeja kryesore, kjo dhe vetëm kjo, se qeveria paska arritur ta shtypë edhe komunitetin akademik shqiptar. Por ka diçka më të thellë dhe më thelbësore që është mahisur.
E dyta, kjo situatë tregoi se opozita jeton jashtë realitetit tonë. Vetëm ditën e shtunë opozita bëri një deklaratë të dobët dhe pa substancë politike. A e ka vallë PD në llogari komunitetin akademik apo vetëm atë oligark? Ka disa vjet që opozita nuk kontribuon fare në mënyrë thelbësore për kulturën dhe arsimin shqiptarë. Duke përfituar mirë nga përvoja ime si studiues dhe botues kam ndjerë thellë se, opozita vetëm sa kundërshton, bën gjeste dhe deklarata balerine dhe nuk reziston si duhet të japë programe ndryshe dhe bindëse nga qeveria, si për arsimin ashtu edhe për kulturën. Madje shumë herë ajo i ka braktisur komisionet përkatëse me pretekste politike, duke i lënë shumë ligje dhe politika për arsimin dhe kulturën të miratohen pa opozicion fare.
E treta, kjo situatë vërtetoi që rektorët dhe dekanët në universitetet publike kanë marrë votat, jo për të drejtuar me dinjitet universitetet, por për t’u nënshtruar ndaj qeverisë. Qeveria në punën e saj pashmangshmërisht gabon dhe sigurisht që çdo qeveri do gabojë kurdoherë. Po a keni dëgjuar që me këtë rast ndonjë rektor apo dekan të prononcohet në media? Ku është Konferenca e Rektorëve? Përse nuk bëri një konferencë për shtyp dhe të denoncojë këtë zvarritje të qeverisë me komunitetin akademik? Në fakt, shumë rektorë dhe dekanë në universitetet publike sillen me arrogancë të skajshme dhe nuk e njohin e jo më të respektojnë lirinë akademike. Gjithë opinioni publik e njeh tani mirë këtë situatë tragjike të klaneve që sundojnë universitetet dhe fakultetet e universiteteve publike; shitja e vendeve të punës, nepotizmi, shitja e bursave, vota në shkëmbim të vendit të punës apo titujve, abuzimet financiare dhe plot fenomene të tjera që kanë shkatërruar de facto universitetet publike. Pedagogët e universiteteve publike kishin ndoshta më shumë liri në kohën e Ramiz Alisë, se sa sot dhe pse? Sepse ata janë nën trysninë e dy palëve që nuk dallohet qartë cila është më e madhe. Nga njëra anë, nën trysninë e qeverisë dhe partisë në pushtet, përmes administratorëve dhe Bordeve politike të Administrimit. Nga ana tjetër, pedagogët janë edhe nën trysninë akoma më të madhe të disa klaneve arrogante, mediokre dhe ekonomikisht të fuqishme që janë detyruar, me hir apo pahir, t’i votojnë. A mund ta besojnë shqiptarët që këta feudalë në krye të universiteteve e fakulteteve publike, që nuk denjojnë të dalin në mbrojtje të të drejtave të pedagogëve, janë zgjedhur me votë të lirë?! Jo kurrë. Këto klane nuk meritojnë të drejtojnë universitetet publike, këtë pasuri të madhe kombëtare, të cilën po e degradojnë çdo ditë.
E katërta, pedagogët përjashto një pakicë fare të vogël, duke përjetuar një autocensurë nuk guxojnë të reagojnë! Sinjal i rrezikshëm për demokracinë tonë. Po pse nuk guxojnë? Mendoj jo aq nga frika që kanë nga qeveria, se sa nga frika që kanë nga feudalët që drejtojnë universitetet dhe fakultetet. Këta feudalë sot përdorin metoda nga më të sofistikuarat për të nënshtruar pedagogët, përmes suprimimit të vendit të punës me marifet: feudalët e ndryshojnë për 5 minuta planin mësimor, të heqin lëndën dhe të heqin nga puna; ose detyrojnë këshillin e etikës, i cili, për 5 minuta i kërkon dekanit apo rektorit ta heqë nga puna!! As në diktaturë nuk të hiqnin kaq lehtë nga puna pa ndonjë shkak politik. Po sjell këtu vetëm një rast të bërë publik në media. Një ish-deputete e PD, e cila ka qenë pedagoge në një universitet nuk pranohet nga feudali d.m.th. rektori i këtij universiteti, të kthehet në vendin e punës, të drejtë që ia jep ligji për statusin e deputetit! Ja deri ku arrin arroganca e këtij rektori ndaj një ish-deputeteje, doktore e shkencave! Po ndaj një kandidati tjetër për t’u punësuar si pedagog si mund të sillet ky zotëri? Po pse qenka kaq i shtrenjtë ky vend pune për këtë rektor, sa që refuzoi një ish-deputete të kthehet në vendin e saj të punës? Unë nuk besoj se qeveria e ka shtrirë ndikimin e saj që të merret me detaje të tilla, por kjo nuk është pozitive as për qeverinë. Sot rektorët dhe dekanët pasi i marrin votat korruptive nuk i japin llogari asnjë organi kolegjial. Fakultetet nuk kanë më këshilla profesorësh. Senatet janë të nënshtruar nga rektorët. Sot në universitete të gjithë pedagogët janë nën trysninë e këtyre klaneve dhe duhet të heshtin. Në universitete ka shumë pak ose aspak debat akademik. S’ka konferenca shkencore, s’ka krijimtari, s’ka gjallëri akademike, pak ose aspak studime dhe diskutime. Atëherë çfarë ka? Ka burokraci me shumicë për tituj dhe grada shkencore që të rriten të ardhurat në portofolin e tyre. Madje nuk ka as diskutime për curriculat, sepse rektorët dhe dekanët i ndryshojnë me arrogancë përmes klanit të administratës që kanë emëruar vetë. Për diskutime shkencore nuk mund të bëhet fjalë sepse mediokriteti, plagjiatura dhe fiktiviteti kanë pushtuar masivisht departamentet. Këtyre bejlerëve të universiteteve as nuk u shkon mendja për kushtet në të cilat mësojnë studentët dhe cilësinë e mësimdhënies, edhe pse prindërit e tyre paguajnë tarifat ndër më të lartat në Europë! Universitete publike janë de facto pa biblioteka të cilat janë një nga kërkesat më serioze të akreditimit të tyre dhe për këtë nuk i ka penguar qeveria ose ministrja, janë pa salla të pajisura për mësimdhënie, pa qendra të kompjuterëve për studentët, pa qendra të mësimit të gjuhëve, por me zyra luksoze të rektorateve dhe dekanateve. Situatë paradoksale. Si i justifikojnë tarifat kaq të larta të studimeve që dalin nga kursimet e familjeve të studentëve? Po shikoja një diskutim në Channel One parmbrëmë dhe aty mësova se investimet në U. e Tiranës janë realizuar vetëm 9% vitin e kaluar. Ndërsa të ardhurat nga tarifat e studentëve përbënin mbi 50 % të buxhetit, pra më shumë se buxheti që jep shteti. Imagjinoni sa tragjike që është kjo. Studentët e shkretë paguajnë tarifat e larta ndërsa paratë digjen, dhe pastaj nuk ka as libra, as shkumësa, as kompjuterë etj. etj. A nuk janë bejlerë anëtarët e këtyre bordeve, rektorët, administratorët dhe dekanët?
Kjo situata e pagave në universitetet publike tregoi edhe njëherë gjendjen në të cilën kanë degraduar universitetet publike, jo aq për shkak të politikës, se sa për shkak të sundimit të feudalëve gjoja të zgjedhur me votë, që i nënshtrojnë pedagogët dhe i zhvatin universitetet. Ndoshta ka ardhur koha të rivlerësohet seriozisht zgjedhja me votë e rektorëve dhe dekanëve në universitetet publike. Pse e them këtë? Sepse kjo votë nuk ka nxjerrë akademikët më të mirë në krye të universiteteve dhe fakulteteve dhe kjo po degradon më tej universitetet publike sidomos me fenomenin e përsëritur të zgjedhjeve rokadë. Kush nuk e sheh këtë është qorr, kush nuk do ta pranojë jeton në botën e hileve. Mekanizmat e kërkimit të votës janë tashmë gjerësisht të njohur se janë thellësisht korruptivë. Sjellja e të zgjedhurve si rektorë apo dekanë është sjellje feudalësh. Politika mundësisht konsensuale duhet të gjejë me shpejtësi një model tjetër për të përzgjedhur rektorë dhe dekanë që janë ndër akademikët më të mirë. Qeveria duhet të heqë dorë nga bordet me militantë politikë. Kryeministri Rama atë që me të drejt guxoi të bënte me Akademinë e Shkencave duhet të mendoj ta bëjë edhe për universitetet publike. Çfarë i kushton Shqipërisë të ftojë 5 profesorë të huaj që të drejtojnë bordin e një universiteti publik dhe t’u paguajë 2-3 mbledhje në vit, pra gjithsej 5-6 ditë në vit? Këto borde duhet të zgjedhin bashkë me Senatin rektorët dhe dekanët mbi bazën e një konkursi transparent publik. Shqipëria ka akademikë dinjitozë që mund të drejtojnë universitetet dhe fakultetet publike dhe t’i zhvillojnë ato drejt standardeve ndërkombëtare. Por ky grup akademikësh nuk ka asnjë shans të zgjidhet me atë të ashtuquajtur votë korruptive. Modele mund të gjenden pafund. E rëndësishme është që universitetet publike duhet të shpëtohen nga kjo votë korruptive që instalon klane bejlerësh, të cilët i degradojnë universitetet, nënshtrojnë pedagogët, injorojnë studentët dhe pasurohen për vete. Përndryshe, universitetet publike, kjo pasuri e madhe kombëtare, do të degradojnë akoma më shpejt për të arritur në nivelin e shkollave profesionale.
























