Isufi, duke paraqitur rezultatet dje, para Qeverisë, ka përmendur si argument edhe kullotjen e lopëve.Baton Haxhiu, duke i diskutuar të gjeturat që solli Komisioni i ri i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, shtroi pyetje se “si është e mundur që një profesor të thotë që kufiri ka qenë këtu pasi kanë qenë kullosat e lopëve”.
Për këto komente, Florim Isufi ka reaguar përmes një statusi në Facebook.
Reagimi i plotë i Florim Isufit:
Duke u nisur nga fakti që unë jam vetëm njëri nga dhjetë anëtarët e Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare, në princip nuk më takon mua që të prononcohem në emër të komisionit rreth sulmit të pa skrupull dhe tejet të dëmshëm ndaj aktiviteteve të këtij komisioni.
Por meqenëse në një emision të një televizioni privat me gazetarin Baton Haxhiu është përmendur emri im dhe janë shfaqur e diskutuar duke i shtrembëruar dhe keqinterpretuar disa inserte të prezantimit tim në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më duhet pa tjetër të reagoj dhe të informoj opinionin me të vërteten.
Prezantimi im rrjedhë si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës nr.01/06 datë 03/10/2017 ku detajohet aktiviteti i komisionit e rrjedhimisht edhe i imi brenda tij. Pastaj ligji nr. 04/L-72 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, neni 40 i cili përshkruan në detale limitin e aktivitetit të komisionit e brenda tij edhe timin. Prandaj çdo tentim për keqinterpretim dhe keqinformim të opinionit publik në lidhje me aktivitetet dhe rezultatet e mia unë i konsideroj si të qëllimshme dhe me prapavijë për t’i shkaktuar dëme të pariparueshme procesit nëpër të cilin po kalojmë.
Bazuar në kompetencat tona, ju informojë se të gjitha dëshmitë grafike, hartografike dhe të kontrollit efektiv i kemi përdorur vetëm për të dëshmuar se a ka devijim të vijës kufitare të marrëveshjes për kufi të nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, e jo për të bërë vijë të re, koordinata të reja, matje të re të territorit etj. Këtë e sanksionon ligji në fjalë e që gazetari dhe bashkëbiseduesi i tij ishte dashur ta dinin (apo e kanë ditur, por me qëllime të caktuara e kanë anashkaluar).
Ju informoj se nëse krijohet infrastruktura ligjore që do të mundësonte përcaktimin e vijës kufitare pa mandat paraprak (delimitim), dhe shënjimin e vijës kufitare pa marrëveshje paraprake ndërkombëtare (demarkim), nuk to ti jepet rasti asnjë gazetari, analisti etj. që të bëjnë kërkesa të tilla antiligjore nga aktiviteti im profesional siç doli dje nga emisioni i gazetarit në fjalë. Ajo çka ishte shqetësuese në këtë emision, ishte gënjeshtra e pa skrupull për buxhetin e shpenzuar, devijimin e fakteve zyrtare të KSA të Kosovës si jo relevante duke plotësuar dëshirën e Malit të Zi, dhe duke tentuar të lidhin vijën kufitare Kosovë-Mali i Zi me pjesët tjera të territorit që me vendime politike dhe juridike i takojnë Kosovës, etj.
Të nderuar miq, unë fuqishëm qëndroj në të dhënat e kontrollit efektiv që i kam prezantuar e që kam bindjen që bazuar në këtë trend do të vazhdoj të gjej edhe më shumë. Këtë aktivitet do ta bëjë për të mirën e Kosovës, jam apo nuk jam në Komisionin Shtetëror për Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare. Unë kurrë nuk do të bëhem avokat i Malit të Zi kur është në pyetje territori i Kosovës. Diçka e tillë do të duhej të vlente për të gjithë profesionistët tjerë, e që ndodhë kudo tjetër, dhe këtë së fundmi e kam vërtetuar edhe nga komisionet dhe profesionistët e shteteve si në Kroaci ashtu edhe Slloveni. Edhe vet profesor Martin Berisha e ka dëshmuar këtë duke qenë shtetas i Malit të Zi dhe duke punuar jashtëzakonisht shumë në komision për dobi të Republikës së Kosovë. A nuk flet kjo mjaftueshëm?
Ajo që e karakterizon prezantimin tim është se rezultatet përfundimtare nuk janë në kundërshtim me materialin e shfrytëzuar për këtë çështje e që lehtësisht mund të gjendet në dokumentet tjera të qeverisë për këtë çështje.























