Nga Latif Mustafa*
Nuk kemi të drejtën e moralizimit dhe gjykimit politik mbi premisa morale. Megjithatë, duhen shpjeguar rrënjët apo gjenealogjia e dashurisë së shqiptarëve ndaj jugosllavizmit, nga këndi i lëvizjes së ideve, kurse në aspektin psikologjik ajo është një lakmi e deles ndaj fuqisë së bariut. Prirja ndaj jugosllavizmit te shqiptarët është një lloj zogizmi i fjetur. 1) Prototipi i idesë së Jugosllavizmit është ideja e “panballkanizmit”, projekt i ministrit të punëve të jashtme ruse, Adam Czartoryski, i cili kah fundi i vitit 1804 parashikonte se në rast të rënies të Perandorisë Osmane, Ballkani t’i bashkëngjitet Rusisë. Pas Ilia Garashaninit kjo ide arriti të konkretizohej me mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene duke kulmuar me Jugosllavinë dhe Shqipërinë si devijim përkohshëm gjeopolitik, por jo edhe gjeokulturor. 2) Zogizmi është ideologjia e krijuar nga mbreti i Shqipërisë së atëhershme, Ahmet Zogu, me ç’rast realpolitika dhe fqinjësia e mirë ishte filozofia e saj politike. Përputhjen e kufijve të njësisë politike dhe njësisë kombëtare e shihte një lloj utopie apo iluzioni. Më përndjekjen dhe persekutimin e nacionalistëve shqiptar arriti të fitoj simpatinë e SKS-së dhe gjatë viteve 1918-1928 arriti të shuajë lëvizjen kaçake të Kosovës. Zogizmi kulminacionin e vet e arriti me persekutimin fizik të Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit. Antinacionalizmi si politikë e jashtme e shtetit shqiptar, qe praktikë e Nolizmit dhe komunizmit po ashtu. Kriteri i politikës shqiptare në Maqedoni është zogizmi tashmë i mbuluar me një koncept të shpërfytyruar dhe tëhuajsues si “qytetaria apo kozmopolitizmi”. Historia është linearike, por në linearitetin e saj shënon lëvizje ciklike në diakroni, me një fjalë riciklohet. Panballkanizmi, Sllavizmi, Jugosllavizmi dhe Zogizmi janë ideologji me burim të përbashkët epistemologjik dhe janë komplementare ndaj njëra-tjetrës. Zogizmi është përgjumja shqiptare dhe shkulja nga trualli për t’u rimbjellë në saksi. Kjo Saksi sot ushqehet e ujitet nga duar të ndryshme, të huaja e të këtushme. Këndellja shqiptare në Maqedoni është e dhembshme por më se e nevojshme!






















