Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca ka thënë se kjo deklaratë mund ta dëmtojë bashkëpunimin që e mirë që kanë pasur këto parti pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“Konsiderimi i njëjtë i PDK-së me VV-në, nga ana e koalicionit LAA, nuk i kontribuon bashkëpunimit në mes nesh. Ka qenë një deklaratë naive, që e dëmton bashkëpunimin e ardhshëm”, ka theksuar Konjufca, të mërkurën për media, njofton lajmi.net.
Ai ka thënë se arsyet pse Hoti ka bërë një deklaratë të tillë i dinë vetëm ai.
Ndryshe, Hoti ka thënë se Vetëvendosje fillimisht duhet të kërkojë falje për të gjitha veprimet e dhunshme që ka bërë, gjuajtjen e gazit lotsjellës e koktej molotovit, etj, e pastaj do të lëvizin përpara për një bashkëpunim me ta.
“Të kërkojnë falje qytetarëve të vendit, LDK-së e kryeministrit. Kryeministri është sulmuar në familje në shtëpinë e tij. Është gjuajtur me koktej. Është sulmuar vetura e tij. S’ka qenë sulm me vezë apo sulm simbolik, por ka qenë sulm që ka pas mundësi të shkaktojë vdekjen e kryeministrit dhe stafit të tij”, ka thënë Hoti dje për media.
E ky fakt e ka gëzuar koalicionin PAN të cilët vlerësojnë se tashmë e vetmja shumicë në Kuvend është PDK-AAK-Nisma.
Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën të mërkurën në takimin konsultativ duke komentuar deklartën e Hotit ka thënë se tashmë në Kuvend nuk ka një shumicë tjetër pos PAN-it.
“Pas deklaratës së Hotit dje është pa që në Kuvend nuk ka një shumicë tjetër për formimin e Qeverisë. Numrat në Kuvendin e Kosovës nuk janë 60:60, por kemi një realitet të ri. Në çdo rrethanë PAN mbetet shumicë parlamentare”, është shprehur Sherifi.
Pas zgjedhjeve të 11 qershorit Vetëvendosje dhe LDK kanë mbajtur disa takime ku kanë diskutuar për harmonizim të programit qeverisës. Madje kanë pasur edhe qëndrime të përbashkëta edhe në Kuvend, ku kanë deklaruar votën kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinaj për kryeministër.























