Vera është një studiuese akademike, dhe me përvojë në konsulencë. Aktualisht, ajo është lektore në fushën e Manaxhimit Strategik dhe drejton kursin e Manaxhimit të Bisnesit në Universitetin e Uellsit Jugor (University of South Wales) Që nga mbërritjes në Britani të Madhe në vitin 2002 ajo ka mbaruar një varg studimesh në fusha të ndryshme si në atë të biznesit, pedagogjise dhe gjithashtu menaxhimit të projekteve. Specifikisht, ajo ka dy diploma në Administrim dhe Menaxhim Biznesi, një Bachelor Degree në Artin e Menaxhimit dhe Biznesit, Master në Administrim Biznesi, Çertifikatë pasuniversitare në mësimdhënie në arsimin e Lartë (PGCert) dhe është Fellow e Academisë së Arsimit të Lart dhe anëtare e Institutit të Prokurimit dhe Furnisimit në Britani të Madhe. Ajo gjithashtu ka kualifikim të plotë për Manaxhim Projektesh (PRINCE2 F / P). Vera është gjithashtu duke mbaruar Doktoraturën (PhD) në fushën e Kapaciteteve Dinamike në Prokurimet Publik. Ajo ka prezantuar studimet e saja në konferenca të ndryshme ndërkombëtare si RSAIBIS, IPSERA, IPPC, ISBE, Albanian Studies Day etj, dhe gjithashtu studimet e saja janë botuar në international journals. Ajo gjithashtu është duke punuar në nje varg projektesh që kanë të bëjnë me prokurimin në sektorit publik.Vera është bashkautorë e tre raporteve të sponsorizuara kryesisht nga Qeveria e Uellsit dhe ajo qendrore duke influencuar politikat dhe strategjinë e prokurimit publik në Uells por jo vetëm. Vera është duke hulumtuar në prokurimet publike në vende të ndryshme të Evropës dhe Afrikës (Sub-Saharan).
Si nisi udhëtimi në profesionin tuaj?
Udhëtimi im ka filluar së bashku me ëndrrat e mija fëmijërore. E lindur në një familje fshatare ku pavarësisht kushteve të rënda ekonomike, dëshira për dije dhe arsim ishte e madhe. Ajo reflektohej në përkujdesjen, nxitjen, dhe inkurajimin e prindërve të mi për të më shkolluar. Ata kishin ëndrra të mëdha, por ato kurrë nuk u zgjuan, për t’i dhënë udhë ëndrrave tona, si një shpresë e ringjallur për të arritur destinacionin e tyre të humbur në rrjedhën e turbullt të jetës. Me kujtohet kur prindërit ktheheshin të rraskapitur nga puna dhe hallet e jetesës por gjithmonë me buzë në gaz dhe të gatshëm për të më dedikuar kohën dhe vëmendjen e tyre për mbarëvajtjen e shkollës. Netët e gjata të dimrit shpesh nën dritën e vakët të kandilit ktheheshin në arena bashkëbisedimi ku dëshirat e mija fëmijërore përziheshin me ato të tyre dhe ktheheshin në shkëndija shprese për një të ardhme më të mirë.Bisedat dhe përkëdheljet e tyre me shoqërojnë edhe sot, dhe janë një pikë referimi dhe njëkohësisht shtytje dhe obligim për të punuar pa u lodhur dhe për të mos u s ‘mbrapsur kurrë por duke ecur përpara drejt një të ardhme më të mirë. Për të qen një shembull i mirë për fëmijët e mi, për shoqërinë, por gjithashtu për të realizuar ëndrrat e tyre që u mbyllen në sirtar për të mos u hapur kurrë.
Cilat kanë qenë stacionet e udhëtimit tuaj?
Nëse i referohem shkurtimisht viteve që unë kam jetuar dhe punuar në Shqipëri do të kisha dëshirë të nënvizoja dy stacione të rëndësishme që jam përjetësisht e dashuruar sepse aty u mbollën filizat e suksesit tim. Stacioni im i pare ka qenë Teatri Profesionist i Peshkopisë ku unë kamë punuar si aktore për rreth 6 vite. Ajo ka qenë një eksperiencë e veçantë sepse kam patur nderin të punoja me artist të mëdhenj si Edmon Zhulali, Vera Laci, Lirije Rasha, Arif Vladi, Qerim Sula, Agim Scara, Behar Mera, Arben Spahia etj. Stacioni im i dytë ka qenë televizion lokal “Shkodra TV1”. Përvoja në këtë televizion më ka bërë të mendoj që me punë dhe përkushtim çdo gjë është e arritshme. Uragani ndryshimeve të mëdha të aso kohe në Shqipëri, shkundi mijëra peme dhe gjethet e tyre rrokolliseshin në vorbën e madhe të dushkut pa ditur se ku “fati” do t’i hidhte. Ato u lanë në mëshirë të fatit pa ditur se cili do të jetë stacioni i ardhshëm i tyre. Por një ditë Shtatori të 2002-shit jeta jonë mori një drejtim tjetër, ne u gjendem në Britani të Madhe së bashku me familjen time, bashkëshortin dhe dy fëmijët e mi. Për të filluar një kapitull të ri në jetë tonë. Një kapitull plot shpresa për të ardhmen e fëmijëve sepse për mua dhe bashkëshortin tim ato kishin filluar të vyshkeshin. Që aso kohe unë jam përkushtuar dijes the ajo është kthyer në pasionin e jetës sime. Ndoshta kjo ka shërbyer edhe si një mekanizm për të ‘kopur’ me ndryshimet radikale duke patur parasysh sfidat e fillimit të një jetë të re në një vend që nuk dinë të komunikosh, ku kultura e të berit të gjërave është e ndryshme nga ajo që je mësuar, dhe shpesh ndjesia e përhumbjes në një botë më të komplikuar të shoqëron gjithandej. Sfidat e balancimit të shumë aspekteve si ato të të qenurit një nën e mirë dhe një grua e devotshme, por gjithashtu, nevojë për të punuar ndoshta me orë të zgjatura për të përballuar jetën dhe të qenurit student i rregullt kanë qenë një barrë e rëndë në supet e mia por ato kurrë nuk më kanë sfiduar. Përkundrazi, më kanë dhënë një mësim të mirë në jetë që cdo gjë arrihet ne se ke vullnet dhe vendosmëri. Ky udhëtim nisi nga një stacion ku darka dhe shkatërrimi mbizotëronte për të arritur aty ku lidheshin rrugët e te gjithë botes dhe suksesi ishte frut i saj. Ne vitin 2003 fillova të studioja gjuhën angleze në Kolegjin “Glan Hafren” por progresi im u vu re nga mësuesit e mi dhe shumë shpejt filluan të më inkurajonin të aplikoja për studime universitare, gjë që unë e bëra me kënaqësi dhe që atëherë nuk jam ndalur asnjëherë duke rreshtuar një varg kredencialesh me rezultate të shkëlqyera. Aftësitë e mia u vunë re nga pedagoge të Universitet dhe ekspertë në fusha të ndryshme me experiencë globale dhe më ofruan fillimisht një mundësi për të filluar punë si asistente hulumutese (Research assistant) në Qendrën e Ekselencës e quajtur ndryshe Procurement Best Practice Academy. Por nuk kaloj shumë kohë dhe ëndrra ime për të ligjëruar në universitete të Britanisë së Madhe mori udhë duke shënuar një kapitull të ri në jetën time. Por ky nuk është stacioni im i fundit sepse udhëtimi vazhdon me një destinacion të qartë dhe inspirues.
Cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?
Çelësin i suksesit tim ka qenë besimi, përkrahja e familjes sime pa anashkaluar vullnetin dhe dedikimin tim. Fëmijët e mi kanë qenë dhe janë motivacioni im kryesor. Dhe më duhet ta them se ndihem shumë krenare për arritjet e tyre. Ata kanë mbaruar studimet universitare në fusha të ndryshme. Djali ka mbaruar për Bisnes Internacional dhe punon si një ndër gjashtë drejtuesit e një kompanie Amerikane që operon në Britani të Madhe. Ndërsa vajza ka mbaruar për drejtësi dhe aktualisht punon për “Evershets” në London City (në Headquarter). Gjithashtu, një pjesë të suksesit tim ia dedikoj përkrahjes nga institucioni që unë aktualisht punoj Universiteti i Uellsit Jugor dhe kolegëve të mi pedagog që besojnë në kapacitetet e mia.
Çfarë është atdheu për ju?
Atdheu është ADN-ja ime. Vendi që më jep identitetin tim. Është strofkulla e ngrohtë ku shpirti im gjen qetësi si askund tjetër. Vetëm atij i qofsha falë.
Mesazhi juaj për Shqiptarët në Britani
Mesazhi im për shqiptarët në Britani është i thjesht dhe i qartë. Dija është rruga drejt prosperitetit dhe zhvillimit personal dhe shoqërore. Përqafojeni atë dhe bëjeni pjesë të jetës tuaj. Konsiderojeni atë si një ndër rrugët që të çon drejt arritjeve të aspiratave tuaja. Dhe do te mbyllja duke ju referuar një kuote te Einsteint ku thote “Asnjëherë mos e konsideroni studimin tuaj si një detyrë, por si një mundësi për t’u patur zili për bukurinë çliruese të intelektit tuaj dhe arritjet tuaja personale por edhe përfitimet e komunitetit nga puna juaj…”
Bisedoi Petrit Kuçana





















