E gjitha është bërë për t’u krijuar siguri kalimtarëve nga ndërtimet që kanë nisur buzë rrugës.
Por, ato ndërtime kanë dalë të mos jenë në harmoni me planet mjedisore.
Para se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të dal me një qëndrim rreth ndërtimeve të larta që pretendohen të bëhen në atë pjesë, kanë qenë qytetarët e Lagjes, ata që janë mbledhur dhe kanë bërë një peticion për ndalimin e punimeve.
Ministria e pranon që ka marr ankesën e këtyre qytetarëve dhe se në afat optimal u është përgjigjur si atyre, si komunës, ndonëse në komunë e mohojnë të kenë marr ndonjë vendim nga ministria.
Për rrjedhojë, punimet po vazhdojnë.
Vendimi i “humbur rrugës”
Bajram Kadriu nga Zyra për informim dhe komunikim në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një përgjigje për AktivPress ka thënë se ministria e ka sqaruar në mënyrë kronologjike këtë rast.
“Pas analizimit të rastit dhe shqyrtimit të terë historiatit të lëndës ne kemi përgatitur përgjigjen për banorët e Rrugës “B” në Prishtinë, një kopje të së cilës ua kemi përcjellë edhe autoriteteve komunale të Komunës së Prishtinës, ku gjjithçka është sqaruar në mënyrë kronologjike që nga veprimet e para në vitin 2010-2011 e deri më sot”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Mirëpo, Erzen Vraniqi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës nuk ka pranuar të flas për këtë çështje me arsyetimin se komuna ende nuk ka marr kurrfarë vendimi nga MMPH-ja.
“Në komunë nuk na ka ardhur ende vendimi i ministrisë. Kur të vjen, ne e lexojmë, e shqyrtojmë dhe pastaj mund të deklarohemi”, ka thënë Vraniqi.
Ndërkohë një banor i lagjes, si nënshkrues i Peticionit, pa dashur t’i përmendet emri, ka thënë se pret që komuna të reflektoj në interes të qytetarëve dhe t’i ndaloj punimet.
“Shenjat janë që vendimi do të anulohet”, është shprehur ai.
Udhëzimi për banorët e lagjes
Në përgjigjen e ministrisë të cilën e disponon AktivPress thuhet se kjo ministri i ka dhënë urdhër Drejtorisë së Urbanizmit që vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të planit rregullues urban “ MATI 1” i cili është miratuar në Kuvendin komunal të Prishtinës me datë 20.07.2011 të anulohet pasi është në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe aktet e tjera nënligjore të dala nga ky ligj.
Në frymën e kësaj, Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës është urdhëruar që t’i anuloj të gjitha vendimet për lejet ndërtimore parcellat përkatëse kadastrale.
“Po ashtu, sipas raportit, nr.prot.47-2/12, datë 19.01.2012, të Komisionit MMPH-MAPL për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve Komunale, është konstatuar se vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Planit Rregullues Urban “Mati 1”, i miratuar nga Kuvendi Komunal i Komunës së Prishtinës, nr.01.Nr.031-1678, datë 20.07.2011, është në kundërshtim me dispozitat ligjore pasi që vendimi duhet të ketë emërtim të qartë dhe të përmbushë kërkesat e obliguara të nenit 16 të Ligjit Nr.2003/14 për Planifikimin Hapësinor”, thuhet në shkresën e ministrisë.
Nga ana e MMPH është kërkuar që banorët e lagjes MATI 1 t’i drejtohen instancave më të larta për mos ekzekutimin e rekomandimeve të dhëna nga organet e cekura në përgjigjen e ministrisë.

























