Kështu në shënimin e anëtarësimit të Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave dhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA), raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha pavarësisht sfidave që kanë pasur MF-ja dhe Dogana gjatë një viti për të siguruar që Kosova mund t’i plotësojë standardet e MSA-së, ka thënë se “si shtet i ri e meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”.
“Sot bëhet një vit nga hyrja në fuqi e MSA-së pra është një vit i përpjekjeve të zyrtarëve tonë për të zbatuar standarde të larta. Për Ministrinë e Financave dhe Doganën ka qenë një vit sfidues për të siguruar që Kosova mund t’i plotësojë këto standarde dhe si shtet i ri e meritojmë të jemi pjesë e familjes evropiane”, tha ai.
“Ky përvjetor është vit i reflektimit për të pasur efektet e MSA-së dhe për t’i planifikuar hapat më tutje. E shohim MSA-në si përpjekje për një platformë më të mirë ekonomike dhe prosperitet. MSA-ja është zbatuar pa asnjë pengese përgjatë një viti, kemi avancuar kërkesat doganore konform MSA-së”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se po punojnë shumë më reformat e të bërit biznes.
“Para një viti kur kemi filluar zbatimin e MSA-së kemi folur për pritjet ndërsa tani flasim për të arriturat. MSA-ja e ka trajtuar Kosovën drejt një qëndrueshmërie ekonomike përmes vendosjes së standardeve dhe cilësisë dhe përafrimit të politikave me Unionin Ndërkombëtar. Ne sot flasim për 20 për qind eksporte rritje në BE dhe 8 për qind importe”, ka thënë Hoti.
Të gjitha rezultatet janë shenjë e respektit të punës që po bëhet nga doganierët tonë.
Mustafa: Kosova po vendoset në harta globale
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka deklaruara se Kosova po vendoset në harta globale dhe ka vizion që t’i përmbush të gjitha kriteret që i kërkohen nga MSA-ja.
“Ne kemi administratë të aftë dhe kredibile doganore në regjion. Si anëtar të kësaj organizate kemi mundësi të rrisim efiçiencën dhe të arrijmë objektiva. Kjo është me rëndësi të madhe. Nuk ka rast më të mire se ky sot kur po shënojmë njëvjetorin e MSA-së dhe unë dëshiroj t’i falënderohem MPJ-së, MF-së për punën që kanë bërë. Kosova ka vizion që t’i përmbush të gjitha kriteret që i kërkohen”, ka thënë ai.
“Qytetarët kanë sjellje evropiane dhe Bashkimin Evropian e shohin si pjesë të tyre. Nuk meritojnë qytetarët të jenë të bllokuar. Nuk duhet t’iu mohohet e drejta e lëvizjes së lirë. Shpresoj se ne do ta kapërcejmë këtë situatë dhe qytetarët tonë do të lëvizin lirshëm. Kosova do të mbetet e përkushtuar në implementimin e kësaj marrëveshje. Jemi të përkushtuar në luftim të korrupsionit. Konsideroj se kemi arritur suksese dhe kemi treguar që mund ta përmbushim vizionin tonë”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka shtuar se ekonomia e Kosovës është në rrugë të mirë dhe është e hapur drejt Bashkimit Evropian.
Berisha: Dogana ka mision të gjerë të rritjes së të hyrave
Bahri Berisha drejtor i përgjithshëm Doganës se Kosovës ka thënë se Dogana e Kosovës ishte ndër institucionet e para që filloi punën më 1999. Ai tha se gjatë këtyre 18 viteve Dogana është rritur shumë dhe ka mision të gjerë të të hyrave. Dogana vlerësohet si një nga institucionet me vlera të mëdha.
“Sot po festojmë anëtarësimin tonë në këtë organizatë. Që nga viti 2008 Dogana ka synuar të jetë anëtare e kësaj organizate.
“Organizata Botërore ka në vete shumë konventa ku edhe Kosova do të bëhet pjesë e tyre. Ne shumë shpejtë do të jemi pjesë e këtyre konventave. Ne konsiderojmë se edhe me rreziqet e reja aplikimi i kontrolleve do të jetë efektiv. Dogana zotohet se do të jetë partner kredibil me këtë organizatë. Konsiderojmë se pjesëmarrja do të jetë përgjegjësi e madhe”, ka thënë ai.
Duke folur për MSA-në ai thënë se Dogana konsiderohet fusha kyçe për këtë marrëveshje.
“Dogana e Kosovës është zhvilluar në bazë të standardeve të BE-së. Legjislacioni në fushën e Doganave ka progres mjaftë të dukshëm që nënvizohet edhe në raportin e progresit dhe raporte tjera. MSA-ja parasheh bashkëpunim me vendet e rajonit. Dogana vazhdon të forcoj kapacitetet për luftimin e ekonomisë jo formale. Dogana do ta ruaj dhe do ta promovojë boshtin e vlerave të larta që i ka në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës”, ka thënë ai.
Gërxhaliu: Ka ardhur koha që të ndahet shteti nga pushteti
Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se sot po shënohen dy data të rëndësishme për Kosovën.
“Ka ardhur koha kur duhet të ndahet shteti nga pushteti”, ka thënë ai.
Përfaqësuesi i Këshillit të Investitorëve të Kosovës, Shpend Balija, ka thënë se sot po shënojmë të arriturat e Kosovës.
“Kosovës tani i duhet implementimi i plotë i MSA-së, tërheqja e investitorëve dhe besoj se përmes kësaj marrëveshje ne mund ta bëjmë këtë. Për ta bërë këtë duhet një bashkëpunim me komunitetin e biznesit”, ka thënë ai.



























