Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë mesazh nga kryeministri për riprocedim të Marrëveshjes së Demarkacionit si pikë emergjente në seancën e së mërkurës. “Asgjë nuk kam në tavolinë. Ende s’e kemi marrë ndonjë konfirmimin se kjo marrëveshje mund të jetë në diskutim në seancën e së mërkurës”, ka thënë Haliti.
Numri dy i Kuvendit ka pranuar se legjislativi do ta fusë në rend dite pikën për Demarkacionin nëse një gjë e tillë kërkohet nga shefi i Qeverisë. “Z. Mustafa e ka të drejtën të kërkojë nga Parlamenti që Marrëveshjen e Demarkacionit ta fusë në rend dite si pikë të jashtëzakonshme. Parlamenti brenda 24 orëve e diskuton çështjen. Nëse kërkon kryeministri që kjo pikë të hyjë si pikë emergjente, ajo do të hyjë”, ka potencuar Haliti.
Megjithatë, nënkryetari i Kuvendit shprehet skeptik se kjo Marrëveshje do të kalojë në Kuvend. “Unë nuk kam bërë kalkulime për këtë Marrëveshje, por jam skeptik që kjo mund të kalojë”, ka thënë ai.






















