Kajtazi ka treguar se në Forumin ekonomik do të ketë drejtues e profesionistë të fushave të ndryshme dhe aty do të trajtohen tema të ndryshme. “Ideja është që të shkëmbëhen mendime për atë se çka mund të bëhet… Njerëzit në Kosovë të mos e shohin diaspiorën si tërheqje të parasë, por edhe si të njohjes. Diaspora të behët aksionare e ekonomisë. Pritjet tona janë që të kemi partnerë në Kosovë”, ka thënë ai. “Nuk mundet që njerëzve në diasporë t’u kërkohet të sjellin vetëm paratë dhe jo idetë. Qasja institucionale, njerëzit nga Kosova vijnë tek ne në diasporë me përgjigjje dhe jo me pyetje siç do të duhej. Ka një qasje sikur paternaliste”.
Ndërkaq Gërxhaliu ka thënë se Kosovës i duhet përvoja dhe kultura e punës së diasporës. “Kjo është një qasje që të barten përvojat më të mira. Duhet të kemi një qasje më proaktive dhe më pragmatike që diaspora të investojë më shumë”, ka thënë ai. “Vetëdija e diasporës është shumë më e lartë se sa që e kemi ne në Kosovë. Duhet të ketë një qasje më të koordinuar nga Kosova për diasporën. Ne duhet të kemi tretman të veçantë ligjor për diasporën”. Sipas tij, kontributi i diasporës nuk mund të jetë vetëm në para po edhe në forma të ndryshme.






















