Në një bisedë për Gazetën Fjala, Kenan tregon se Kosova është vendi më i mirë për të investuar, marrë parasysh të kaluarën, siç thotë ai, të përbashkët mes dyja vendeve.
Raste si ky janë të shumtë, në gjysmën e dytë të këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
167 biznese turke u regjistruan këtë vit në Kosovë
“Puçi ushtarak” ndaj udhëheqjes së Recep Tayyip Erdogan është arsyeja kryesore që ka reflektuar edhe në rritjen e numrit të bizneseve turke të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve për periudhën janar-nëntor të këtij viti.
Për këtë periudhë biznese turke në ARBK janë regjistruar gjithsej 127 sosh. Krahasuar me vitet e kaluara kjo është dyfish më shumë, ku mesatarja e bizneseve turke të regjistruara ka qenë rreth 50.
“Kryesisht nga sektorët tregti, veprimtari shërbyese, prodhim, bujqësi, hoteleri etj. Ndërsa nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtën të vitit të kaluar numri i bizneseve të regjistruara në periudhën janar- nëntor 2015 është 53 biznese”, thotë Merlinda Ramaj, Asistente administrative në kabinetin e ministrës së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.
Krahas gjendjes jo të mirë në Turqi, Kenan e ka edhe një shpejgim tjetër se pse ka zgjedhur Kosovën për të investuar.
“Kosova është vend ‘parajsë’ për të investuar. Është lehtë të hapet biznesi dhe në biznesin që unë e bëjë ka shumë punë”, shpjegon ai.
Gjatë kohës sa është në Kosovë, ai tregon se ka takuar shumë bashkëvendës të cilët nuk janë pajtuar me mënyrën sesi Erdogan qeverisë me Turqinë.
Historiku i marrëdhënieve tregtare Kosovë-Turqi
Megjithatë bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë ka qenë prioritet i Qeverisë se Kosovës edhe në vitet pararendëse.
Tashmë ndërmarrjet me të mëdha në vend, si Distribucioni dhe Aeroporti, kanë rënë në duart e kompanive turke. Shtrirje vërehet edhe në sektorin bankar.
Sipas Ramaj, tërheqja e investimeve të huaja është një nga synimet e Qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe investimet nga Turqia.
Së fundi, MTI ka organizuar Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë – Turqi, mbajtur në Stamboll, si dhe Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë-Britani e Madhe – ShBA që është mbajtur në Londër.
“Këto forume janë bashkë organizuar së bashku me autoritetet e shteteve respektive”, thotë Ramaj.
Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare tregojnë se biznese turke të regjistruara në Kosovë nga viti 2003 deri shtator 2016 janë gjithsej 700.
Sipas të dhënave të publikuara nga BQK për periudhën janar – gusht 2016, investimet nga Turqia arrijnë vlerën 24.4 milionë euro. Ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera IHD-ve nga Turqia ishte 42.2 milionë euro.
Bazuar në të dhënat nga BQK-ja, IHD-të nga Turqia nga periudha 2007 – 2015 arrijnë vlerën 312 mil euro duke u renditur e treta pas Gjermanisë dhe Zvicrës.





















