Në një komunikim zyrtar me Gjykatën, gjykatësi Kashtanjeva ka mohuar të ketë lejuar vizita të tilla.
“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se gjyqtari i procedurës paraprake nuk është në dijeni lidhur me ndonjë kërkesë për leje-vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për të ndjerin A.D.”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët për media në VV për të pyetur nëse zyrtarët e saj e kanë vizituar Astrit Deharin dhe me çfarë leje të Gjykatës janë futur në burg, por zëdhënsja Tinka Kurti nuk ka dashur të flasë për këtë rast.
I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i KMDLNj-së Behxhet Shala ka thënë se informacionet për vizitat i kanë marrë nga Qendra e pParaburgimit në Prizren dhe nuk kanë hulumtuar më tutje nëse ekziston leje nga gjykatësi Kashtanjeva.
Astrit Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut pasditen e të shtunës. Vdekja e tij është duke u hetuar nga prokuroria e shtetit ndërsa ai po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin me raketahedhës në Kuvendin e Kosovës.
Vizitat tek i paraburgosuri në burg bëhen vetëm me lejen e gjyqtarit.























