Delegacioni konfirmoi se të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, si Ministria për Dialog, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës etj, janë duke punuar intensivisht për t’i realizuar obligimet zbatuese në raport me këtë marrëveshje.
Edhe pala serbe konfirmoi gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjes si dhe paraqiti progresin në procesin përgatitor për implementim, raporton lajmi.net.
Pas diskutimeve rreth pajisjes së veturave me letër ngjitëse që do të vlejnë për të dyja palët, BE-ja kërkoi që të dyja shtetet të marrin përsipër që pajisja e veturave me letër ngjitëse të bëhet pa pagesë e cila nënkupton se qeveritë e të dyja shteteve duhet t’i marrin përsipër shpenzimet për prodhimin e tyre.
Po ashtu u caktuan edhe specifikat e letër ngjitësve dhe modalitetet e zbatimit të këtij dakordimi.
Në këtë takim po ashtu u fol edhe për zbatimin e heqjes së targave ilegale që ende në disa raste përdoren nga qytetarët në komunat veriore të Kosovës.
Të gjithë u pajtuan që kjo të shoqërohet nga një fushatë informuese e cila do të fillojë këtë vit, si dhe për të stimuluar këtë proces do të vazhdohet validiteti i targave KS.
Në këtë takim, delegacioni i Kosovës raportoi për progresin që është bërë për hapjen e zyrave të regjistrimit civil dhe gjendjes civile në katër komunat veriore, ku u theksua se procesi i rekrutimit, integrimit, trajnimit si dhe i krijimit të hapësirave të punës ka shënuar progres dhe se hapja e këtyre zyrave do të ndodhë gjatë muajit nëntor, raporton lajmi.net.
Këto zyra të Qeverisë së Kosovës do të pajisin qytetarët me dokumentet e shtetësisë së Kosovës dhe të gjendjes civile.
Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri, përbëhej edhe nga Dren Zeka koordinator, Elona Cecelia koordinatore për çështjen e zyrave, Qemajl Marmullakaj drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Shaban Guda nga Policia e Kosovës dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.























