Shumë prej grevistëve të urisë së vitit 2012 thonë se nuk kanë marrë ende asnjë këst pasi dosjet e tyre u dorëzuan me vonesë në vitin 2007 dhe si të tilla vijojnë të konsiderohen edhe sot.
Me lotët që ende nuk i janë tharë bashkëshortja e Lirak Bejkos thotë se u desh të vetëflijohej bashkëshorti i saj që shteti të kthente kokën ndaj brengës dhe halleve të ish të dënuarve politikë. Si kundërpërgjigje ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi deklaroi sot se dosjet e vonuara do të marrin shumë shpejt zgjidhje, premtim i dhënë ky gjatë një ceremonie homazh të organizuar nga ministria e linjës në nder të Lirak Bejkos.
Por ish-të burgosurit politik në sallë replikuan deri në ndërprerje të fjalës së drejtorit të Institutit të Rintegrimit Bilal Kola duke kërkuar prej tij dhe ministrit Klosi premtimin e pambajtur të pensioneve për ish-të burgosurit politik të shfrytëzuar për gjysmë shekulli në miniera dhe punë të rënda.
Po sot Ministria e Mirëqenies Sociale ka shpërndarë këstin e 6 të dëmshpërblimit për 1100 nga 2400 përfitues të kësaj kategorie ndërsa u premtua që i gjithë dëmshpërblimi për ish të burgosurit politikë të gjallë të mund të përfundojë brenda vitit 2017.






















