Hyseni tha se vendimi për paraburgimin prej 30 ditësh të drejtorit rajonal të policisë në Mitrovicë është marrë me rekomandim politik, dhe se kjo, sipas tij, është e papranueshme.
Ministri tha se po punojnë që Beogradit t`i drejtohet një shkresë zyrtare për të kërkuar lirimin urgjent të Nehat Thaçit.
Hyseni tha se lirimi i oficerit policor mund të bëhet përmes veprimeve institucionale e jo përmes folklorizmave të tepruar. Ai tha se logjika e arrestimit të njerëzve që kanë marrë pjesë në luftën e fundit në Kosovë do të çonte në arrestime masive të serbëve dhe shqiptarëve.
Njohësit e rrethanave të sigurisë nga ana tjetër thonë së Kosova duhet të punojë që të ndërpritet kjo praktikë e njohur e shtetit të Serbisë.
Hyseni nga ana tjetër shprehet i bindur se Thaçi do të lirohet shpejt, derisa shpreson se kjo çështje nuk do të ketë nevojë të diskutohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Drejtori rajonal i policisë në Mitrovicën e jugut, Nehat Thaçi, është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar në vendkalimin kufitar Kosovë-Serbi në Konçul, gjatë lëshimit të vërtetimit për hyrje në territorin e Serbisë.
Të premten autoritetet serbe i caktuan masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tani Nehat Thaçi gjendet në Qendrën e paraburgimit në Nish.






















