Pas dronit të ngritur në Beograd nga Ballist Morina, duket se këto mjete fluturuese janë shumë të dashura për shqiptarët.
Në qendër të vëmendjes është sërish droni, ky mjet i vogël fluturues që komandohet në distancë. Kësaj radhe, ngjarja ka ndodhur në Greqi, konkretisht në qytetin e Larisës.
Një grup shqiptarësh u zbuluan nga autoritetet e burgut të Larisës teksa po tentonin të kryenin një porosi me dron, shkruan Syri.net. Ata po përpiqeshin të fusnin në burg një sasi droge.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 17:00 me orën lokale, kur mbi burgun e Larisës u konstatua një dron që po transportonte 211 gram heroinë, 418 gram kanabis, 16 celularë, 28 karta SIM, 10 USB dhe sende të tjera.
Porosia ishte për tre të burgosur shqiptarë 26 vjeç, 33 vjeç dhe 36 vjeç, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, grabitje dhe vepra të tjera të rënda.
Porosia me dron nga ajri po kryhej nga një tjetër shqiptar, i cili gjithashtu është i burgosur, por prej pak ditësh kishte dalë me leje. Për të kryer këtë transport me dron, shqiptari që kishte dalë me leje nga burgu, u ndihmua nga një çift grek, që i siguruan atij drogën dhe sendet e tjera.
Grekët e moshës 19 vjeç dhe 24 vjeçe u arrestuan kur u zbulua roli i tyre. Autoritetet sekuestruan edhe prova të tjera që faktojnë lidhjen e dy grekëve me 4 shqiptarët. /SYRI.net/
















