Bisedë me znj.Ediola Pashollari, Sekretare e Përgjithshme në Asamblenë Botërore të të Rinjve pranë Kombeve të Bashkuara
Edukimi dhe puna e saj e jashtëzakonshme e bëjnë Ediolën një vajzë shqiptare me një histori suksesi në botë. Le t’ju njohim me punën dhe jetën e zonjushës Pashollari.
Kur keni filluar në Asamblenë Botërore të të Rinjeve dhe si i keni ngjitur shkallët e karierës profesionale deri në këtë institucion të rëndësishem botëror?
Kariera ime në Asamblenë Botërore të të Rinjve, nisi në vitin 1999 si vullnetare duke punuar me marrëdhëniet ndërkombëtare të organizatës. Pasi mbarova studimet e larta në Angli për drejtësi, u ktheva në Malajzi dhe në janar të 2006 ës u emërova zëvendës sekretare e përgjithshme e kësaj organízate. Gjatë kësaj kohe unë mbarova dhe tri mastera për Biznes, Shkenca Politike, dhe Entrepreneurship. Ndërsa në 2010 u zgjodha Sekretare e Përgjithshme, ku vazhdoj dhe sot.
Cila ka qenë fëmijëria juaj dhe çfarë do të kujtoni gjatë moshës së adoeleshencës dhe fillimet e moshës së artë, rinisë suaj në gjimnaz?
Fëmijëri e lumtur, e bukur kur kujtoj Përmetin, qytetin që unë jam lindur e rritur e kur një pjesë të fëmijërisë sime e kam pikërisht atje. Do thoja është një ndër periudhat më të bukura të jetës, pasi jam rritur dhe me shumë dashuri me njerëzit e dashur që nga familja dhe të afërmit. Përmeti, qyteti i trëndafilave mbart kujtimet e mia më të bukura.
Cilat janë disa nga vështirësitë që ju keni hasur për të punuar në Ansamblenë Botërore të të rinjve?
Vështirësi ka si kudo, si në çdo punë e çdo profil tjetër, sigurisht asgjë nuk është e lehtë, por unë punën time e kam pasion dhe e bëj me dashuri, ndaj çdo gjë që bëhet me dashuri ka sukses. Duke qenë femra e parë në botë që drejtoj këtë organízatë, ka pasur sa të mirat, por dhe vështirësitë e veta, pasi në aq vite themelim si organízatë, po aq kohë është drejtuar vetëm nga meshkuj, dhe për mua ishte një sfidë e madhe dhe një përgjegjësi të cilën sot e kam çuar në pikën më të sukseshme dhe më bën të ndihem krenare për këtë objektiv që punoj çdo ditë fort për të realizuar sa më shumë projekte në dobi të të drejtave të të rinjve kudo nëpër botë.
Sa bashkëpunoni me forumet rinore shqiptare dhe a i pengojnë të rinjtë e sotëm dallimet partiake?
Bashkëpunimi im i parë ishte në 2014, kur u mbajt dhe Asambleja e Përgjithshme e Organizatës një program që doli me sukses dhe u vlerësua nga të gjithë anëtarët që morën pjesë.
Të gjithë delegatët dolën të kënaqur. Ishte një takim që më ka lënë vërtetë një përshtypje e shije të mirë si nga ana organizative që nga qeveria, bashkia, por edhe këshilli rinor shqiptar.
Nga pikëpamja ime personale dhe profesionale, rinia nuk duhet të ndikohet nga dallimet partiake, përkundrazi ata duhet të ndikojnë politikat ekzistuese per të përmirësuar realitetin në të cilën Shqipëria aktualisht ndodhet. Rinia, duhet të ngrejë zërin e të jetë pjesë e ndryshimit të situatave në përgjithësi, pasi e ardhmja e vendit është vetë rinia.
Cili është vizioni juaj për integrimin e të rinjve shqiptarë si dhe në botë?
Shqiptarët nuk kanë pse kërkojnë një jetë më të mirë nëpër botë, por rinia shqiptare duhet të punojë e të jetë pjesë e vendit të tyre, në mënyrë që ai vend nesër të bëhet më i denjë nga vetë forca e tyre. Eshtë gabim, të mendosh integrimin e rinisë në një vend tjetër, kur kemi një rini mjaft të edukuar në shumë dimensione, të zgjuar, aktiv, dhe të aftë, ja pikërisht këtu nis integrimi që këta të rinj mos ti ndalojë asgjë për të bërë më të mirën për vendin e tyre, dhe pse nuk e kanë të lehtë por mesazhi im do ishte që Guri i rëndë peshon në vendin e vetë, ndaj dhe ata endrrën e tyre të së ardhmes duhet ta ndërtojnë atje.
Ku jetoni konkretisht?
Une jetoj në Malajzi, si vendbanim, pasi qendra e Organizatës që unë drejtoj gjendet atje. Megjithatë unë jam kudo nëpër botë me udhëtime.
Sa ju ka ndihmuar njohja e gjuhëve të huaja për t’u lidhur me të rinjtë në vende të ndryshme të botës?
Shkollimi im është bërë i gjithi në anglisht, meqë dhe anglishtja është gjuhë zyrtare ndërkombëare, më bëhen rreth 17 vite që e flas këtë gjuhë, qe dë thotë më ka lehtësuar lidhjen me njerëzit, punën, dhe gjithcka tjetër.
Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?
Si Organizatë ne hartojmë shumë projekte, gjithësecili ka rëndësinë e tij, ndaj s’di kë të veçoj, ajo që dua të them është se çdo projekt është një përgjegjësi e madhe, dhe një tjetër sukses i radhës.
Gusht 2016, Manhattan, New York/Bisedoi Keze Kozeta Zylo/Illyria















