Sipas ambasadores Çitaku, takimet e Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet për Kosovën, janë më shumë humbje kohe sesa të dobishme, për shkak se Kosova tashmë ka marrë udhën e shtet-bërjes.
“Kosova është një republikë e re që ballafaqohet me sfida, por s’duhet të ketë sfida si kjo, që të takohemi çdo tre muaj. Po e marrim kohën me çështje që nuk kanë shumë rëndësi, kjo kohë mund të përdoret për diçka më të mirë”.
“Kemi problemin me refugjatët, ka miliona gra që i janë nënshtruar dhunës seksuale, ka fëmijë që janë në nevojë të strehës dhe ilaçeve”.
Çitaku ka shtuar se Kosova ka ende punë për të kryer në forcimin e sundimit të ligjit në vend.
“Ka shumë që duhet bërë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, duhet bërë shumë në sundimin e ligjit. Kemi punuar shumë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.
Ambasadorja kosovare, edhe njëherë e ka thënë se Kosova nuk ka thyer asnjë ligj ndërkombëtar duke u bërë e pavarur.
“Falë Kombeve të Bashkuara, Kosova ka statusin përfundimtar. Kosova kishte të drejtë kur deklaroi pavarësinë dhe nuk ka shkelur asnjë ligj ndërkombëtar”.






















