Një alarm për bombë është dhënë paraditen e sotme në portin e Barit. Dy çanta të lëna në anë dhe të braktisura kanë bërë që një peshkatar të njoftonte policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë dhjetëra patrulla dhe ekipet antiminë.
Siç shkruan La Repubblica, menjëherë është bllokuar vendi ku ndodheshin çantat, që ishin në pronësinë e dy shqiptarëve. Këta të fundit ia kishin lënë në ruajtje një peshkatari.
Italiani siç duket se nuk u ka besuar shqiptarëve dhe ka dhënë alarmin, duke njoftuar një agjent policie.
Ky i fundit ka njoftuar kolegët e tij dhe zona është bllokuar. Në momentin kur ekspertët antieksploziv ishin duke u afruar tek çantat, kanë mbërritur edhe dy shqiptarët të cilët kanë kërkuar që të mos vazhdonte aksioni.
Ata kanë hapur çantat në prani të policisë, duke u treguar se brenda kishin vetëm rroba e gjëra personale. Dy shqiptarët janë shoqëruar në polici për verifikim dhe për të parë nëse ishin me dokumente të rregullta në Itali.
















