Aty u tha se vendet e Ballkanit perëndimor janë përballur me shumë sfida për të pasur energji të qëndrueshme dhe të përballueshme për qytetarët e vet. Një prej pengesave kryesore vazhdon të jetë korrupsioni, i cili është duke e mbajtur sektorin të paqëndrueshëm dhe të pazhvilluar.
Haki Abazi nga Rockefeller Brothers Fund kur flet për energjinë, thotë se është lajm i mirë që të gjitha shtetet e kanë nënshkruar marrëveshjen e Parisit ( e arritur në dhjetor të vitit 2015 në Konferencën Globale të Klimës në Paris pas dy javë negociatash, është nënshkruar nga thuajse të gjithë delegatët e 190 vendeve të botës), por e keqja, sipas Abazit, është që në vendet e rajonit nënshkruajnë marrëveshje por nuk i implementojnë, raporton lajmi.net.
“Energjia është bërë mënyrë perfide e krimit në regjion”, tha Abazi.
Në panel ishin përfaqësues nga Kosova, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe nga Serbia.
Mirko Popovic nga Serbia, tha se problemi në rajon është që linjiti është i dobët dhe se tregu është i çintegruar, dhe sipas tij, shumë vende kanë vendosur të heqin dorë nga energjia e thëngjillit, për shkak të ndotjes së ambientit.
“Investimet në rajon shkojnë në energji, thëngjill e korrupsion. Vendet e korrupsionit investojnë në përdorimin e thëngjillit dhe këmbëngulin në përdorimin e tij”, tha Popovic.
Ndërsa, Rinora Gojani nga KOSID në Kosovë tha se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji të vlefshme energjetike, por në anën tjetër duan të investojnë në thëngjill.
Ajo thotë se Kosova duhet të kërkoj për energji alternative.
“Kosova ka shumë pasuri të linjitit, nuk e dimë ende a është e mirë kjo apo jo. Banka Botërore e përkrah Qeverinë e Kosovës në përdorimin e thëngjillit, në anën tjetër OBSH ka dhënë rekomandime për ndryshime dhe kujdes të shtuar për shkak të sëmundjeve nga ajri i ndotur”, tha Gojani.
Ajo vlerëson se institucionet nuk kanë vullnet për të ndryshuar qasjen, e sipas saj, kjo i bën të dyshojnë se disa njerëz po e bëjnë për përfitime.
E Gjergj Erebea nga BIRN-i në Shqipëri tha se vendi i tyre s’ka problem për shkak të energjisë me thëngjill, por ai tha se nuk është në rregull që vendi të varet 100% nga energjia e hidrocentraleve.
Ai përmendi se si shteti i tij, ka borxh 100 milionë euro për një hidrocentral, e i cili nuk prodhon ende energji e as afër nuk është procesi i tij për të prodhuar.
Ndërsa Leila Bičakčić, drejtoreshë e organizatës CIN nga BiH, shpjegoi se shteti nga vjen ajo ka probleme edhe më të thella se kaq.
“BiH është vend i varfër me papunësi të madhe, tek ne problem është Qeveria, e cila ka krijuar grupe për përfitimet e tyre. Ne kemi mundësi përveç energjisë nga linjiti, edhe mundësi të tjera, por ato nuk shfrytëzohen. Pra, në vendin tim ka kompani të rrezikshme, shteti merr para nga dikush që nuk është transparent”, tha ajo, duke përmendur Bankën Kineze.
Të gjithë u pajtuan se duhet integrimi dhe krijimi i një tregu të përbashkët energjetik, dhe institucionet tregtare të mos jenë të përfshira në korrupsion.
Ata thanë se konkurrenca rregullon çmimet ndërsa sundimi i ligjit do të zgjidhte problemet e korrupsionit në këtë sektor.
Ndryshe, Kosova është shteti i pestë më i madhi në botë për rezerva të linjitit.






















