Ymeri deklaroi se përpjekjet e tij nuk kanë munguar që nga momenti kur ka filluar të ridiskutohet çështja e demarkacionit.
Sipas tij, kundërshtimi i përbashkët i opozitës do të ishte më i fuqishëm dhe do të rezultonte më i efektshëm, ndërsa tha se çfarëdo heqje dorë nga kundërshtimi aktiv i kësaj marrëveshje do të nënkuptonte pranim të saj.
“Fatkeqësisht nuk kanë ndodhë takime, pasi nuk kam parë vullnet politik nga ana e tyre. Pra ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që bashkë t’i kundërshtojmë këto, pasi mendojmë që kundërshtimi ynë parimor që ka zgjatë për një kohë të gjatë, përmbi 7 muaj ka sjellë efekte pozitive në Republikën e Kosovës dhe çfarëdo heqje dorë nga kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve, por edhe nga kundërshtimi aktiv i këtyre marrëveshjeve, do të nënkuptonte pranim të marrëveshjeve”, tha Ymeri.
Por, qëndrim të kundërt ka lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili thotë se ndonëse kanë qëndrime të njëjta sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit, nuk do t’i bashkohen Vetëvendosjes.
“Jemi me qëndrime që janë nacionale. Bashkësia e komunave serbe është gabim. E ka gjet Gjykata Kushtetuese që është gabim. E ndajmë këtë mendim me Lëvizjes Vetëvendosje me opozitën, me plot tjerë. Po ashtu, versionin e tashëm të demarkacionit e kanë gjet gabim ekspertët më të njohur, më të thirrurit, më të zotët e Kosovës, e ndajnë po këtë mendim. Nuk i bashkohemi Vetëvendosjes, nuk e ftojmë Vetëvendosjen të na bashkohet neve, por mbesim në kundërshtim të temave”, tha Haradinaj.
Përderisa, kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka bërë të ditur se do të përdorin protesta dhe metoda të tjera për kundërshtimin e marrëveshjes për demarkacionin, një gjë të tillë nuk e ka specifikuar lideri i AAK-së.
Në anën tjetër, deputetët e Vetëvendosjes u janë rikthyer formave të vjetra të kundërshtimeve.
Deputeti i kësaj partie, Driton Çaushi, dje ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, për të kundërshtuar procedimin e Demarkacionit në Kuvend. Të njëjtën gjë, e ka bërë sot shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, i cili ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën pritej të vendosej për datën e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të dalë në votim kjo marrëveshje.























