Kësaj situate duket se vendi nuk do t’i shpëtojë as tani. Partitë opozitare janë të vendosura në qëndrimet e tyre, kurse me e zëshmja në këtë çështje është Vetëvendosje e cila ka pranuar se do të përdorë të gjitha mjetet dhe do të bëjnë çfarëdo lloj rezistence që të pamundësojnë ratifikimin.
Se kjo gjendje mund të eskaloj kur Qeveria të vendos për ta futur si pikë të rendit të ditës Demarkacionin, pa u arritur një konsensus mes partive e thotë edhe njohësi i çështjeve të sigurisë Bejtush Gashi.

Ai në një prononcim për lajmi.net, vlerësoi se nëse Qeveria nuk e rishikon marrëveshjen atëherë ka rrezik që Kosova të shkojë në një situatë e cila mund të jetë e paparashikuar.
“Unë mendoj që nëse kjo marrëveshje aprovohet nga ana e deputetëve pa një konsensus politik nga ana e të gjitha partive politike, ka rrezik që Kosova të shkojë në një situatë e cila mund të jetë e paparashikuar”, shtoi ai.
Dje gjatë ditës, qeveria mbajti konferencë për media ku u debatua për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ku u ripërsërit si nga kryeministri Isa Mustafa e po ashtu edhe kryetari i Komisionit Shtetëror Murat Meha, se Kosova nuk po humb asnjë milimetër tokë.
Për këtë, Gashi thotë se nga ajo që u tha, Qeveria qëndron mbrapa vendimeve të saj dhe se kjo e fundit nuk i ka marr parasysh faktet e ofruara me datën 3 gusht, ku u mbajt tryeza për këtë çështje.























