Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fillim të fjalimit të tij ka thënë se ky debat përbën një moment të veçantë politik për vendin tonë.
Ai qysh në fillim ka shprehur besimin se mesazhi i përbashkët i këtij debati është vullneti dhe përkushtimi i të gjithë spektrit politik, që problemet dhe mosmarrëveshjet t’i adresojmë përmes rrugëve demokratike dhe t’i zgjidhim po me mjete demokratike.
“Vetëm bashkëbisedimi dhe demokracia sjellin zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se tash e një kohë të gjatë jemi duke u përballuar me një situatë aspak të lehtë për vendin dhe politikën tonë.
“Dy marrëveshjet e arritura në gushtin e vitit 2015, ajo për asociacionin dhe tjetra për demarkacionin janë përcjellur me mosmarrëveshje serioze brenda spektrit politik kosovar. I dimë pasojat, i dimë humbjet, që i janë shkaktuar vendit nga defokusimi dhe largimi prej agjendës primare, të cilën e presin nga ne qytetarët – agjenda e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Veseli.





















