Policia italiane vazhdon hetimet dhe kërkimet për gjetjen e dy trafikantëve që transportonin dje me skaf 1.2 ton kanabis nga brigjet shqiptare drejt Italisë.
Mediat e vendit fqinj shkruajnë se nuk ka asnjë të dhënë rreth identitetit të trafikantëve, por besohet se janë shqiptarë. Trafikantët u diktuan dje nga policia kufitare italiane dhe hodhën në det ngarkesën e drogës për t’u larguar me shpejtësi.
Ata ndaluan skafin në një prej brigjeve italiane dhe më pas u larguan me këmbë. Kanabisi i hedhur në det u sekuestrua nga policia italiane, ndërsa në videon e mëposhtme duken trafikantët që po arratisen me skaf.















