Qeveria ka zyrtarizuar me një vendim uljen e pragut të pataksueshëm për blerjet online dhe për dërgesat nga jashtë. Për blerjet që bëhen nga individët online pragu i pataksueshëm ishte 150
euro edhe pse në vendimin e qeverisë të marrë në 7 maj 2015, kjo vlerë ishte në lekë, 20 mijë saktësisht.
Tashmë, qytetarët janë kufizuar, që për çdo blerje online që kalon 22 euro, të paguajnë TVSH dhe tarifën doganore, duke i shtuar vlerës së mallit edhe një kosto tjetër prej 22.4 për qind apo dhe më shumë.
Për dërgesat nga jashtë, që mund të jenë edhe dhurata, limiti i pataksueshëm është 45 euro dhe mbi këtë vlerë do të aplikohet e njëjta skemë. Për ta kuptuar më mirë këtë po i referohemi dy rasteve hipotetike. Blerjet deri në 150 euro, zero taksa. Pra qytetari ka vetëm koston e mallit.
Si shembull po marrim një blerje 25 euro. Kaq është kostoja totale sot. Me vendimin e ri të qeverisë, kostoja e të njëjtës blerje rritet: 25 euro malli + 5 euro (TVSH) + 0.5 euro (taksë doganore) = 30.5 euro.
Në rastin e dytë kemi një familje ku një i afërm i tyre bën një dërgesë. Sot nuk ka kufizim për t’u taksuar në këtë aspekt pavarësisht sa është vlera. Me vendimin e qeverisë çdo dërgesë mbi 45 euro do të paguajë TVSH.
Le të supozojmë se vlera e dërgesës është 50 euro. Qytetari do të paguajë 10 euro si TVSH dhe 1 euro si taksë doganore, pra në total 11 euro edhe nëse ajo që merr është dhuratë.
Qeveria, në projektligjin e saj thekson se këto ndryshime kanë ardhur në kushtet kur bizneset vendase janë ankuar për rënie të shitjeve dhe në anën tjetër, blerjet online kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme dhe në disa raste subjekte të veçanta tregtare i përdorin për të shmangur taksat./ScanTv















