Sekuestrohen 95 kg lëndë narkotike marijuanë dhe një armë zjarri pushkë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim pronarin e tyre. Aksioni është bërë në Berat, por sipas Policisë së Shtetit, pronari i këtyre është nga Lushnja. Gjatë këtij aksioni në Berat janë asgjësuar edhe 994 rrënjë bimë narkotike kanabis satvia.
Në kërkim është shpallur 19-vjeçari me inicialet A. Gj., banues në Lushnje. Shpallja në kërkim ndaj këtij të riu u bë pasi dyshohet të jetë autori i kultivimit të 994 bimë narkotike kanabis sativa, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga forcat e policisë në pyllin e fshatit Osmënzezë, Berat.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një çadër të improvizuar me plasmas, u gjetën 95 kg lëndë narkotike marijuanë dhe një armë trofe (belçik), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.


















