Një krim në familje është parandaluar në mesnatë. Ngjarja ka ndodhur në Rrogozhinë, ndërsa policia ka vendosur në pranga një 69-vjeçar i cili ka tentuar të vrasë me armë bashkëshorten e tij 22 vite më të re.
Siç bën të ditur policia, efektivët e komisariatit të policisë Rrogozhinë kanë vënë në pranga autorin e dyshuar Xhevdet Peza, 69 vjeç banues në fshatin Shardusht, Njësia Administrative Lekaj.
Ai në banesën e tij, pasi ka ushtruar dhunë fizike, ka kanosur në fillim me armë gjahu të cilën e kishte me leje bashkëshorten e tij 47-vjeçaren K. Peza. Më pas ka lënë armën e gjahut dhe ka kanosur me një armë pistoletë tip miniberet të cilën e mbante pa leje.
Forcat e policisë pas telefonatës së marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë neutralizimin e autorit pak metra larg banesës pasi ka tentuar të largohej duke përfituar nga errësira.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale:
Një pistoletë tip mini beret me 5 fishek (pa leje)
Një armë gjahu (çifte) me leje të organeve kopetente.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kavajë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.















